Donjeta Sadiku e jashtëzakonshme, e fiton të artën në Bullgari
Donjeta Sadiku ka shkëlqyer sërish në arenën ndërkombëtare, duke fituar medaljen e artë në turneun prestigjioz “Strangja” që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë, boksierja kosovare e mposhti brazilianen Rebeca de Santos me rezultat të ngushtë 3:2, pas një dueli të fortë dhe mjaft të luftuar.
Sadiku e kishte siguruar finalen pasi në gjysmëfinale triumfoi ndaj egjiptianes Ayyad Yomna, të cilën e mposhti pas tre raundesh bindëse në të njëjtën kategori.
Rrugëtimi i saj drejt medaljes së artë nisi me dy fitore të rëndësishme në fazat paraprake, ku kaloi me sukses çekën Barbora Maxova dhe ukrainasen Veronika Korets.
Kjo nuk është hera e parë që Sadiku triumfon në këtë turne, pasi edhe vitin e kaluar kishte fituar medaljen e artë në “Strangja”, turneun më të vjetër të boksit amator në Evropë, duke konfirmuar edhe një herë formën e saj të lartë dhe dominimin në kategorinë deri në 60 kilogramë./Telegrafi/


