Please enter at least 3 characters.

“Do të shënojë mbi 20 gola“, ylli i Fenerbahces i entuziazmuar pas ardhjes së Muriqit

Mesfushori i Fenerbahces, Matteo Guendouzi, ka shprehur besim të madh te bashkëlojtari i tij Vedat Muriqi, duke parashikuar se sulmuesi kosovar do të zhvillojë një sezon të jashtëzakonshëm me fanellën verdhekaltër.

Në një konferencë për shtyp, ish-mesfushori i Lazios vlerësoi lart cilësitë dhe karakterin e Muriqit, duke theksuar se ai e ka mentalitetin e një fituesi.

"Më pëlqejnë lojtarët me mentalitet fituesi si Vedat Muriqi. Besoj se ai do të shënojë më shumë se 20 gola. Ai e bëri këtë në Spanjë”, deklaroi Guendouzi.

Deklarata e Guendouzit vjen në një moment kur pritshmëritë për Muriqin janë të mëdha, pas rikthimit të tij te Fenerbahce.

Sulmuesi 32-vjeçar vendosi të rikthehet në klubin turk pas aventurës me Mallorcan, ku, pavarësisht paraqitjeve të mira personale, nuk arriti ta ndihmonte skuadrën të siguronte mbijetesën në La Liga.

Megjithatë, Muriqi po përballet me një problem fizik në fillim të përgatitjeve për sezonin e ri.

Fenerbahce njoftoi të hënën se reprezentuesi i Kosovës ka pësuar një çarje të pjesshme në pjesën e poshtme të kyçit të këmbës së djathtë gjatë një seance stërvitore.

Pavarësisht këtij dëmtimi, optimizmi brenda klubit mbetet i lartë, ndërsa deklarata e Guendouzit tregon besimin që bashkëlojtarët kanë te aftësitë e "Piratit", i cili pritet të jetë një nga armët kryesore të Fenerbahçes në sezonin 2026/27./Telegrafi/