Please enter at least 3 characters.

Digjen mbeturina në një objekt banesor në Prishtinë, tymi shkakton panik te banorët

Një incident me zjarr ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në një objekt banesor në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, duke shkaktuar panik te banorët për shkak të tymit që ishte përhapur nëpër korridore.

Sipas drejtorit të zjarrfikësve në Prishtinë, Mal Gashi, rasti është raportuar në ora 05:27, ndërsa ekipet e zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në vendngjarje.

“Ishte raportuar zjarr në banesë, por në fakt bëhej fjalë për mbeturina që ishin duke u djegur në hapësirën pranë ashensorit. Për shkak të tymit, ishte krijuar panik te banorët por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar,” tha Gashi për Telegrafi.

Ekipet e zjarrfikësve kanë arritur ta shuajnë zjarrin në kohë dhe kanë bërë ventilimin e hapësirave për largimin e tymit.

“Nuk ka pasur zjarr në asnjë nga banesat, por vetëm në mbeturinat pranë vendit të ashensorit,” shtoi Gashi. /Telegrafi/