Dhjetë vjet nga tentativa për grusht shteti në Turqi - si u zhvilluan përgatitjet për puçin?
Kanë kaluar dhjetë vjet nga tentativa e dështuar për grusht shteti në Turqi, e cila ndodhi më 15 korrik 2016.
Sipas hetimeve të autoriteteve turke, përgatitjet për puçin kishin nisur rreth tetë muaj më herët, përmes një serie takimesh të fshehta të mbajtura në Ankara, Stamboll dhe në shtetin amerikan të Pensilvanisë.
Sipas hetimeve, organizata FETO, të cilën Ankaraja e konsideron përgjegjëse për tentativën e grushtit të shtetit, filloi zbatimin e planit menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 1 nëntorit 2015.
Thuhet se drejtuesi i saj, Fetullah Gulen, kishte urdhëruar përgatitjet pasi përpjekjet për të fituar ndikim politik dhe institucional nuk kishin dhënë rezultatet e dëshiruara, shkruajnë mediat.
Prokurorët turq pretendojnë se organizatorët civilë dhe ushtarakë zhvilluan takime të fshehta për të koordinuar veprimet, ndërsa oficerët e përfshirë në plan vepronin sipas udhëzimeve të strukturës së FETO-s.
Mbrëmjen e 15 korrikut 2016, një pjesë e ushtrisë nxori tanke në rrugët e Ankarasë dhe Stambollit, avionët luftarakë fluturuan mbi qytete, u bombardua parlamenti turk dhe u bllokua Ura e Bosforit.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan iu drejtua qytetarëve përmes një lidhjeje video, duke u bërë thirrje të dilnin në rrugë për ta kundërshtuar puçin.
Tentativa për grusht shteti u shtyp brenda natës, por pasojat e saj vazhdojnë të ndikojnë politikën dhe shoqërinë turke edhe një dekadë më vonë. Pas ngjarjeve, mijëra ushtarakë, gjyqtarë, policë, akademikë dhe nëpunës publikë u arrestuan ose u larguan nga detyra në kuadër të operacioneve kundër rrjetit që autoritetet turke e lidhin me FETO-n. /Telegrafi/


