Devijimi
Duam t'i besojmë shtetit! Por këtij shteti që po ndërtojmë, e kemi të vështirë. Si t'i besojmë? Si t'iu besojmë fjalëve të shumë pushtetarëve të sotëm e të djeshëm? I njohim. Madje edhe ata vetë e dinë që i njohim, por bëhen sikur nuk e dinë këtë. Janë "politikanë të mëdhenj" dhe e mohojnë që në politikë ka moral. Thua se kanë lexuar shumë dhe e dinë fort mirë teorinë e Machiavellit.
Javën që shkoi u trumbetua në disa media se do të ketë arrestime të disa zyrtarëve të dyshuar për korrupsion, të kësaj qeveri dhe atyre para saj, të cilët bënë sikur "qeverisën" këtë vend. Madje u tha se do të ketë persona të arrestuar që dyshohen për krim të organizuar.
Devijoi gjithçka. Nuk spekuluan mediat, por pushtetarët. Mediat ranë në grackën e tyre: disa me qëllim për amortizimin e situatës, sepse shihet qartë se ia mbajnë anën pushtetit për interesa të ngushta; disa nga dëshira për ta dhënë të parat lajmin. Dhe kur pritej ngritja e aktakuzës për ndonjë zyrtar të lartë, Policia, me urdhër të EULEX-it dhe miratimin e Qeverisë, e arrestoi Albin Kurtin. Kujt s'i konvenon të etiketohet do të nxjerrë pleshta prej kashte duke u thirrur në pavarësinë e pushteteve, por se si janë këto pushtete tashmë e dimë. Ato ndonjëherë shqepojnë edhe në vendet më demokratike e lëre më në Kosovë, ku shumëçka funksionon sipas tekeve të grupeve të caktuara.
Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, as Albin Kurti, as "Vetëvendosje". Kështu thanë pushtetarët dhe mbështetësit e tyre. Ndërsa ata që e duan shtetin u habiten me spektaklin që u dhuruan pushtetarët e tyre. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Dakord.
E zëmë sikur edhe Albini u dashka të shkojë në gjykatë, për t'ia lexuar akuzat e "trilluara" të UNMIK-ut. Por si të bindemi që ata të cilët e dhanë urdhrin për arrest, ata që e miratuan dhe e ekzekutuan këtë urdhër, nuk janë mbi ligjin.
Pra si t'i besojmë Policisë, Drejtësisë, Qeverisë, Parlamentit e EULEX-it? Si t'iu besojmë këtyre hallkave që e përbëjnë shtetin që po ndërtojmë?! Këto hallka që, sipas atyre që i drejtojnë ato, janë gjoja të ndara, por që fatkeqësisht i kanë lidhur nyje për interesa të tyre të ngushta.
I kanë fëlliqur.
A nuk qëndroi Policia, Drejtësia, Qeveria, Parlamenti dhe Presidenca asnjëherë mbi ligjin gjatë këtyre dhjetë viteve të pasluftës?
Sa dosje janë të hapura apo janë mbyllur pa u ndëshkuar askush, edhe pse në shumë raste përgjegjësit dihen dhe këtë madje ia thonë hapur njëri-tjetrit në "Odën e Burrave", që tani kemi nisur ta quajmë Parlament. Edhe sikur të mos jetë asnjë e vërtetë, shumë veta në Kosovë dihet se qëndrojnë mbi ligjin, andaj askush ende nuk është dënuar as për "shpifje". Askush prej atyre burrave dhe burrneshave që më së paku janë përfaqësues të popullit!
Po EULEX-i nuk po e shkel ligjin në pjesën veriore të Kosovës, se për Kushtetutë nuk kemi të drejtë as ta fajësojmë, sepse nuk e njeh atë. Këto janë hallkat "e ndara", që në fakt kanë bërë kompromis gjoja për ruajtje të stabilitetit, e si qëllim kanë shpëtimin nga ndëshkimi i popullit. Sepse kur punët shkojnë mbrapsht, është e vështirë t'i kthesh mbarë dhe pranon të bësh kompromis me ambasadorë, me EULEX-in dhe me dreqin e mallkuar.
Por thonë se çdo e keqe në fund e ka edhe një të mirë. Urojmë që kjo e mirë të mos jetë ndëshkim tjetër nga populli, përveç se atij "ndëshkimi" që bëhet në ditën e zgjedhjeve. Sepse ashtu si vota, edhe shteti është i shenjtë. Nëse nuk arrijnë të na bindin pushtetarët e tanishëm, do të na bindin ata që vijnë pas tyre se shteti nuk duket kështu si ky që po ndërtojmë. Sepse e dimë që shumë nga politikanët tanë nuk e dinë çfarë është morali, nuk e kanë apo u ka humbur, ndaj nuk e njohin nocionin "dorëheqje". E deri tani drejtësia nuk funksionoi, sepse nuk deshi politika.
S'ka filozofi tjetër këtu. Prandaj, mjaft me këso politike të fëlliqur. Ndryshoni që t'ju besojmë!


