Please enter at least 3 characters.

Detajet e kërkimit të 8-vjeçarit në Gjilan – rrëfen nënkryetari i shoqatës

Një 8-vjeçar ishte shpallur i humbur natën e kaluar, duke alarmuar familjen e tij, e cila kërkoi ndihmë për ta gjetur.

Pas disa orësh kërkimi, falë bashkëpunimit të Shoqatës për Kërkim-Shpëtim, Policisë së Kosovës, FSK-së dhe mobilizimit masiv të qytetarëve, fëmija u gjet i shëndoshë dhe mirë.

Nënkryetari i Shoqatës për Kërkim-Shpëtim, Mentor Maloku, tha se në raste të tilla aktivizohen të gjitha kapacitetet e shoqatës.

“Në raste të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë, i mobilizojmë të gjitha resurset tona. Brenda 40 minutash u mblodhëm 25 anëtarë dhe u nisëm drejt Gjilanit”, tha Maloku për Klan Kosova.

Ai tregoi se pas një mbledhjeje të shpejtë, u përcaktuan hapat që do të ndiqeshin gjatë operacionit të kërkimit. Fillimisht, kërkimet u kryen me dron termal për të identifikuar ndonjë lëvizje, dhe më pas u vazhdua me kërkim fushor.

“Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me Policinë, ndërsa edhe FSK-ja ishte e pranishme në terren”, shtoi Maloku.

Në fund, ai dhe familjarët e 8-vjeçarit konfirmuan se fëmija u gjet shëndoshë e mirë, në një shtëpi të pabanuar, jo shumë larg shtëpisë së tij. /Telegrafi/