Please enter at least 3 characters.

Detaje nga vrasja e 20-vjeçarit kosovar në Suedi

Gent Maksutaj, 20-vjeçar me prejardhje nga Kosova, është vrarë mbrëmë në Suedi në rrethana tragjike.

Sipas dyshimeve fillestare, i riu është privuar nga jeta aksidentalisht gjatë një përleshjeje mes bandave kriminale.

Për këtë rast të rëndë kanë raportuar edhe mediat suedeze, të cilat kanë publikuar detaje të reja lidhur me ngjarjen dhe hetimet që po zhvillohen.

Sipas Policisë suedeze, i dyshuari për të shtënat dyshohet se pas ngjarjes ka udhëtuar me tren drejt Stokholmit, ku më vonë është arrestuar gjatë mbrëmjes ose natës.

Si dyshohet se ndodhi ngjarja

Rreth orës 21:00 të së dielës, policia ka marrë një alarm për të shtëna me armë zjarri në zonën Kvarngärdet në Uppsala.

Menjëherë është ndërmarrë një operacion i madh policor, ku janë angazhuar disa patrulla, ndërsa zona është rrethuar plotësisht. Në vendngjarje janë parë edhe dy autoambulanca.

Fillimisht, autoritetet nuk kanë dhënë shumë detaje për rastin, por më vonë është konfirmuar se një burrë në të njëzetat ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Familjarët e viktimës janë njoftuar për ngjarjen e rëndë.

Hetimi: vrasje e rëndë

Policia suedeze e ka cilësuar rastin si vrasje dhe po vazhdon hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të ngjarjes. Viktima është gjetur jashtë, ndërsa ende po hetohet vendi i saktë ku kanë ndodhur të shtënat.

“Ne kemi vendosur kordonë sigurie dhe po kërkojmë gjurmë që mund ta ndihmojnë hetimin. Po intervistojmë dëshmitarë dhe po kontrollojmë kamerat e sigurisë, si ato tona ashtu edhe private,” ka deklaruar zëdhënësi i policisë, Pelle Vamstad.

Nuk përjashtohet lidhja me krimin e organizuar

Në këtë fazë të hetimeve, policia nuk ka konfirmuar nëse ngjarja lidhet me krimin e organizuar, por ka theksuar se kjo mbetet një nga pistat kryesore që po shqyrtohet.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.