Detaje nga arrestimi i 5 zyrtarëve në Fushë Kosovë, dyshohet për tjetërsimin e një prone prej 1.5 milionë eurosh
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e pesë personave, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në një rast që lidhet me tjetërsimin e një prone në Fushë Kosovë, në vlerë prej 1.5 milionë eurosh.
Sipas Prokurorisë, arrestimet janë realizuar në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.
Nga veprimet hetimore të zhvilluara deri më tani, dyshohet se personat e përfshirë, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, në mënyrë të qëllimshme dhe të kundërligjshme, kanë pajisur me fletë poseduese personin me inicialet M.S. për një pronë që ndodhet në Fushë Kosovë dhe ka sipërfaqe prej dy hektarësh.
Më pas, sipas dyshimeve fillestare, M.S., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar që këtë pronë ta tjetërsojë përmes shitblerjes te personat me inicialet M.Z. dhe M.Z.
Prokuroria thotë se për këtë veprim dyshohet se janë përdorur dokumente të falsifikuara, ndërsa vlera e pronës kap shumën prej 1 milion e 500 mijë eurosh.
Pesë të dyshuarit po hetohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pas arrestimit nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprimet e nevojshme hetimore në bashkëpunim me institucionet përkatëse, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit. /Telegrafi/


