Please enter at least 3 characters.

Dështon votimi në Kongres për angazhimin ushtarak të SHBA-së ndaj Iranit

Republikanët kanë anuluar votimin për kufizimin e përdorimit të ushtrisë amerikane në Iran, nga frika se nuk do të mund ta rrëzonin iniciativën, raportojnë mediat amerikane.

kongresistët e Partisë Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan ndaluan votimin për kufizimin e përdorimit të ushtrisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Iran, ndërsa analistët në SHBA vlerësojnë se republikanët kishin frikë se nuk do të arrinin ta bllokonin këtë iniciativë.

Votimi ishte paraparë të zhvillohej pasi Senati amerikan kishte miratuar një iniciativë sipas së cilës presidenti amerikan, Donald Trump do të duhej të tërhiqte ushtrinë amerikane nga konflikti me Iranin derisa të merrte mbështetjen e Kongresit.

Arsyeja zyrtare për anulimin e votimit ishte mungesa e kuorumit, por analistët amerikanë besojnë se republikanët vendosën të largoheshin nga salla pasi kuptuan se disa nga kolegët e tyre partiakë do t’i bashkoheshin shumicës së demokratëve për ta miratuar rezolutën.

- YouTubewww.youtube.com

Përpjekjet e mëparshme për miratimin e kësaj iniciative kishin dështuar sepse disa demokratë ishin kundër, duke përmendur “kërcënimin e regjimit në Teheran”.

Megjithatë, një numër republikanësh, duke iu referuar nevojës për respektimin e ligjeve ekzistuese dhe faktit se vetëm Kongresi ka të drejtën të shpallë luftë ndaj një shteti tjetër, mbështetën iniciativën për kufizimin e përdorimit të ushtrisë amerikane në Iran.

Sipas ligjeve amerikane, presidenti është komandanti suprem i forcave të armatosura, por ka të drejtë të përdorë ushtrinë jashtë territorit të SHBA-së për 60 ditë pa miratimin e Kongresit.

Siç raportojnë mediat amerikane, afati prej 60 ditësh skadoi në fund të prillit, pas sulmeve të nisura më 28 shkurt kundër Iranit. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë konsideron se ky afat nuk vlen në këtë rast, duke qenë se që nga 7 prilli është në fuqi një armëpushim.

Votimi për kufizimin e përdorimit të ushtrisë amerikane në Iran pritet të shtyhet për një periudhë tjetër, pasi Dhoma e Përfaqësuesve ka hyrë në pushim dhe rikthimi në punë pritet më 1 qershor. /Telegrafi/