Please enter at least 3 characters.

Demokratizmi dhe urbanizimi i fushatës zgjedhore

Tri vështrime për fushatën e deri tanishme zgjedhore. Së pari, zgjedhjet e sivjetme komunale duket se janë zgjedhje urbane, ku shohim që në qendrat kryesore kemi kandidatë më seriozë, investim më të madh në fushatë, si dhe premtime të gjera zhvillimore.

Së dyti, fushata zgjedhore duket të jetë më dinamike. Më dinamike për faktin se po shohim përpjekje më serioze nga partitë politike për të sjellë alternativa lokale dhe bindur elektoratin.

Së treti, këto zgjedhje që në këtë fazë janë duke shfaqur një qasje më ndryshe, duke qenë më të hapur dhe direkte ndaj dështimeve të qeverisjes aktuale, si dhe duke qenë më praktik në qasjen ndaj problemeve komunale, gjerë në nivel të lagjeve. Mirëpo, në anën tjetër këto qasje janë duke lënë anash komunat periferike, duke bërë kështu fushatë jo të balancuar, që bënë të dyshosh për seriozitetin e ofertave të tyre politike.

Brenda zgjedhjeve të sivjetme shohim tri lloj fushatash. Në Prishtinë shohim një fushatë më të përsosur në krahasim me komunat tjera. Përveç kandidatëve më të përgatitur dhe karizmatik, shohim vëmendje më të madhe të mediave dhe komunikim me të detajshëm dhe llojllojshëm me publikun. Prishtina është joshëse ngase ka numër të madh të popullsisë, përbëhet nga shtresa më të pasura dhe arsimuara, si dhe mban imazhin e kryeqytetit.

Në nivelin e dytë kemi qendrat si Prizreni, Gjakova, Ferizaj, Gjilani e Peja në të cilat në mungesë të kandidatëve që duken të bindshëm, kemi intervenimin dhe përkrahjen nga qendra.

Në këtë nivel sekondar shohim se kandidatët komunalë kanë përkrahjen dhe bëjnë përpjekje të legjitimohet me prezencën e liderëve partiakë apo personaliteteve me ndikim. Meqë kandidatët komunal duken të pafuqishëm të flasin vetëm, liderët nga qendra duhet të shkojnë dhe t’i tregojnë qytetarëve se pse duhet të votojnë kandidatin në fjalë.

Këtu shtrohet dilema sa janë në gjendje këta kandidatë të qeverisin vetë pa ndërhyrjen e qendrës, apo autonomia e tyre është simbolike. Ky trend nuk është i ri, por pas këtyre zgjedhjeve duhet vështruar nëse do të ndryshoj.

Dhe së fundi, kemi komunat e vogla, që në fakt përbëjnë shumicën e komunave të Kosovës, që nuk shohim risi në qasjen zgjedhore, veç se ndërrim të kandidatëve dhe sloganeve politike. Çfarë mund të kuptojmë nga kjo? A nuk kanë alternativë këto komuna të vogla, apo janë të varura dhe kontrolluara e viktimizuara nga qendra? Apo ndoshta media nuk është duke ju kushtuar kujdes të njëjtë dhe të mjaftueshëm si me komunat tjera më urbane.

Këto zgjedhje janë më dinamike dhe të hapura. Përfundimisht ne nivelin urban shohim se kandidatët potencial dhe liderët nga qendra janë duke promovuar konceptin e “politikës lokale” që në esencë betejën zgjedhore e përqendrojnë në problemet lokale dhe zgjedhjet që ofrojnë. Të paktën këtë qasje jemi duke e parë në Prishtinë.

Kandidatët e partive në Prishtinë kanë hapur zyrat konsultuese me qytetar dhe çdo ditë vizitojnë lagje dhe hapësira publike për të treguar se motivet dhe premtimet e tyre janë për toke, me zgjedhje të prekshme, të menjëhershme dhe të qëndrueshme. Kritikat për dështime dhe mos përmbushje të premtimeve janë të hapura, konkrete dhe të bindshme.

Në anën tjetër, të arriturat e mandatit të kaluar po shfrytëzohen për të legjitimuar kandidimin e sivjetshëm. Paramendoni sa e sinqertë do të ishte, që kandidatët komunal të garojnë në këto zgjedhje të mos përmendnin të arriturat që normalisht secila komunë duhet ti bëjë, por të përqendrohen në ofertën për të ardhmen.

Sa i përket transparencës, shtypi ditor dhe mediat elektronike sivjet po shfrytëzohen për të raportuar aktivitetin ditor dhe për të paralajmëruar aktivitetet për ditën e radhës. Është interesante kjo afërsi, transparencë, dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve përmes shtypit dhe bisedave rrugore, që rrallë mund ta shohësh pas fushatave zgjedhore.

Imagjinoni nëse kjo qasje vazhdon gjatë gjithë mandatit të tyre, ku çdo ditë “vëllai i madh” përmes ekranit nga raporton për planifikimin buxhetor komunal, investimet, të arriturat, etj. Kjo do të ishte demokraci e vërtetë lokale, e jo siç po shohim tani, një far demokraci të fushatës zgjedhore.

Si do që të jetë, këto zhvillimet e mësipërme kanë disa të meta. Urbanizimi i fushatës zgjedhore nuk është i drejtë. Shumica e komunave të vogla dhe të pazhvilluara janë duke u lënë anash, dhe premtimet për investime janë duke ju ofruar kryesisht qendrave urbane. Edhe pse këto qendra urbane përbëjnë numër të madh të qytetarëve, injorimi i periferive është kundër parimeve të qeverisjes demokratike, zhvillimit të balancuar urban-rural, si dhe dëshmon mos interesim për zhvillim të zonave perifikerike dhe fuqizim ekonomik e social të popullsisë së këtyre zonave.

Për më shumë, transparenca, afërsia me problemet lokale jo domosdoshmërisht është indikator që këto problem do të zgjidhen. Në zgjedhjet e kaluara dy partitë kryesore kanë ndërmarrë të njëjtën qasje, por ajo që ka fituar zgjedhjet nuk ka realizuar atë që ka premtuar. Që do të thotë, se praktika e mirë e konsultimit me qytetar është vendosur, por zbatimi pasues pas zgjedhjeve dhe marrjes së pushtetit nuk është realizuar. Vetëm ndërrimi i pushtetit mund të jap hapësirë për krahasim dhe vlerësim të aplikueshmërisë së kësaj praktike.

Në fund, si duhet ti shohim këto zhvillime? A duhet ti shohim si përparim dhe pjekuri të praktikave demokratike zgjedhore, apo vetëm postulate më ndryshe për marrje apo ruajtje të pushtetit? Kush është duke i bërë ndryshime, pjekuria dhe presioni qytetar, apo alternativat më serioze të partive politike? Tani për tani mund të thuhet se kemi demokratizim dhe urbanizim te fushatës zgjedhore, por sa do të përkthehet në demokraci lokale, mbetet të dëshmohet pas zgjedhjeve.