Please enter at least 3 characters.

Deklarata e Shoqatës së Prokurorëve për pagat, reagon Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës së një shoqate të re të prokurorëve, e cila mëngjesin e sotëm shprehu solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve dhe kërkoi që të mos ketë ulje pagash.

Në reagimin e tij, Rama thekson se shoqata në fjalë nuk është ende e regjistruar sipas ligjit, ndonëse brenda afatit për regjistrim, ndërsa e cilëson të pabazë pretendimin për “ulje pagash”.

“Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar ‘që të mos ulen pagat’”, shkruan Rama, raporton euronews.

Sipas kryeministrit, bëhet fjalë për një interpretim absurd të situatës, pasi kategoria më e privilegjuar e piramidës së pagave në shtet po paraqitet si e diskriminuar. Ai sqaron se, në këtë rast, “ulje page” po konsiderohet fakti që pagat nuk rriten aq sa kërkojnë shoqatat e gjyqtarëve.

“Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur”, thekson Rama, duke e quajtur këtë arsyetim të pabesueshëm, por fatkeqësisht real.

Kryeministri nënvizon se nuk ka pasur asnjë tentativë për uljen e pagave të gjyqtarëve apo prokurorëve dhe se qeveria, përkundrazi, ka treguar vëmendje të shtuar ndaj sistemit të drejtësisë. Ai përmend si shembull punën e nisur prej gati një viti për ndërtimin e një Poli Drejtësie, që sipas tij do të ofrojë kushtet më të mira të punës në rajon.

Në fund të reagimit, Rama ngre edhe një pyetje publike për shoqatën e re të prokurorëve, lidhur me problematika të tjera serioze në sistemin e drejtësisë.

“Po për shkelmimin e vazhdueshëm si askund në Evropë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!”, përfundon ai. /euronews.al/