“Debutim me emocione, por me klas”, Gert Behxheti shkëlqen në paraqitjen e parë dhe trajneri e vlerëson lart potencialin e tij
Talenti kosovar, Gert Behxheti, këtë javë e ka shënuar një hap të madh në aventurën e tij në Spanjë, duke debutuar në ndeshjen e parë me ekipin e tij dhe duke lënë përshtypje shumë të mira.
Edhe pse tek ai vëreheshin emocionet e debutimit, paraqitja ishte e qetë, stabile dhe shumë premtuese, një performancë që tregoi pjekuri dhe vetëbesim për moshën e tij.
Behxheti prej javësh është duke u ambientuar në futbollin spanjoll dhe aktualisht është pjesë e FC Andorra, klub që garon në La Liga 2 dhe që është nën pronësi të legjendës Gerard Pique.
Rruga e tij drejt këtij momenti erdhi pas paraqitjeve të mira me Prishtina U17, që i hapën dyert për prova te Osasuna dhe Mallorca, për të vazhduar më pas te FC Andorra.
Pas ndeshjes, komenti i trajnerit ishte tejet pozitiv, duke e theksuar potencialin e madh të Gertit dhe duke nënvizuar se ky debutim ishte vetëm një shenjë e parë e asaj që ai mund të japë në të ardhmen.
Me këtë paraqitje, Behxheti jo vetëm që e konfirmoi përshtatjen e shpejtë me intensitetin dhe ritmin e futbollit në Spanjë, por edhe dërgoi një sinjal të qartë se është gati të luftojë për më shumë minuta dhe rol më të rëndësishëm.
E ardhmja e Gert Behxhetit mbetet për t’u parë, por debutimi i kësaj jave, me performancë të sigurt dhe vlerësim nga stafi është një tjetër tregues se ky kapitull në Spanjë mund të kthehet në trampolinë serioze drejt niveleve më të larta.
Ndryshe, sulmuesi 17-vjeçar luan me ekipin U-19, por stërvit vazhdimisht me ekipin e parë dhe shumë shpejt mund ta bëjë hapin e madh për të debutuar te ekipi B i ekipit të parë. /Telegrafi/


