“Dardanët” nisen për në Pragë, Kosova gati për përballjen ndaj Çekisë
Kombëtarja e Kosovës ka përmbyllur përgatitjet e fundit në vend dhe tashmë është nisur drejt Pragës, ku e pret ndeshja miqësore ndaj Çekisë. Atmosfera në kampin e “Dardanëve” duket pozitive, me futbollistët dhe stafin teknik të përqendruar maksimalisht te sfida e radhës, e cila do të shërbejë si një test i rëndësishëm për vazhdimin e ciklit të përgatitjeve.
Federata e Futbollit e Kosovës ka publikuar pamje nga udhëtimi i ekipit kombëtar, duke treguar mobilizimin dhe përkushtimin e grupit para këtij takimi.
“Drejt Çekisë për miqësoren e parë. Fokus, përkushtim dhe gati për sfidën që na pret”, shkruante në postimin e parë me video të FFK-së.
Ndërkohë, në një tjetër publikim të shoqëruar me fotografi nga aeroporti dhe udhëtimi i ekipit, Federata ka ndarë momentet e nisjes së futbollistëve drejt kryeqytetit çek.
“Dardanët nisen për në Pragë”, shkruante tek postimi i dytë, ku kishte shumë fotografi të bashkangjitura.
Përzgjedhësi Franco Foda pritet ta shfrytëzojë këtë ndeshje për të testuar alternativa të ndryshme në formacion, por edhe për t’u dhënë hapësirë disa prej futbollistëve që synojnë të fitojnë rol më të rëndësishëm në skuadër.
Për më tepër, sfida ndaj një kundërshtari cilësor si Çekia do të jetë një mundësi e mirë për të matur nivelin aktual të ekipit dhe për të identifikuar aspektet që kërkojnë përmirësim.
Kosova luan nesër (e diel) miqësoren ndaj Çekisë në “epet ARENA” nga ora 16:00. Përballja pritet me interes të madh nga tifozët kosovarë, pasi do të jetë një mundësi për të parë nga afër formën e ekipit dhe disa prej emrave të rinj që janë ftuar për këto ndeshje miqësore.
Pas takimit me Çekinë, “Dardanët” do të vazhdojnë përgatitjet edhe për sfidën e radhës ndaj Andorrës në stadiumin “Fadil Vokrri”. /Telegrafi/


