Çmim i lartë i naftës - hyn në fuqi vendimi për përcaktimin e marzhës, ministrja Kusari jep detaje
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se ka nënshkruar vendimin për vazhdimin e caktimit të masës mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të konkurrencës së drejtë dhe të ndershme në tregun vendor.
Vendimi është marr të premten dhe sot hyn në fuqi.
Lexoni të plotë postimin:
Ju njoftoj se dje kam nënshkruar vendimin për vazhdimin e caktimit të masës mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të konkurrencës së drejtë dhe të ndershme në tregun vendor.
Vendimi është marrë më 03.04.2026, është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyn në fuqi, sot më 04 Prill 2026.
Sipas vendimit në fuqi dhe sipas të dhënave aktuale:
• Nafta ka hyrë në doganë me çmim prej 1.77 euro për litër, ndërsa me akcizë dhe TVSH mund të shitet jo më shumë se 1.91 euro për litër.
• Benzina ka hyrë në doganë me 1.30 euro për litër, ndërsa në tregun vendor mund të shitet jo më shumë se 1.44 euro për litër.
Me këtë vendim marzha e përcaktuar tregtare maksimale të lejuar mbetet si në vijim:
• Shitja me shumicë: deri në 2 euro cent për litër
• Shitja me pakicë: deri në 12 euro cent për litër
Ky vendim parashikon mbikëqyrje të shtuar nga Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe koordinim të ngushtë me Autoritetin e Konkurrencës.
U bëj thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që ta respektojnë këtë vendim. Çdo shkelje do të trajtohet me masa ndëshkuese, duke përfshirë edhe ndëshkime retroaktive nga Inspektorati i Tregut dhe Administrata Tatimore e Kosovës. /Telegrafi/


