Please enter at least 3 characters.

Çmenduri në Madrid! Vinicius mund të paguhet nga Reali për t'u transferuar te Arsenali

Real Madridi raportohet se është i gatshëm t’i ofrojë Vinicius Juniorit një përqindje të shumës së transferimit të tij nëse vendos t’i bashkohet Arsenalit këtë verë, pasi gjiganti spanjoll synon të shmangë largimin e brazilianit me parametra zero në vitin 2027.

Sipas gazetarit Jorge Picon, drejtuesit e klubit kanë zhvilluar së fundmi një takim me përfaqësuesit e Viniciusit, ku ua kanë bërë të qartë se prioriteti mbetet rinovimi i kontratës së tij. Megjithatë, nëse sulmuesi vendos se e ardhmja e tij është larg "Santiago Bernabeut", klubi është i gatshëm ta lehtësojë transferimin.

Raporti thekson se propozimi i Real Madridit parashikon që 26-vjeçari të përfitojë një pjesë të shumës së transferimit si bonus nënshkrimi, me synimin për ta bindur të largohet këtë verë dhe jo të presë skadimin e kontratës në vitin 2027.

Arsenali raportohet se është i bindur se mund të arrijë një marrëveshje me vlerë rreth 150 milionë euro, ndërsa Real Madridi fillimisht e kishte vlerësuar reprezentuesin brazilian me afro 170 milionë euro.

Kjo formulë shihet si e favorshme për të gjitha palët. Vinicius do të përfitonte një bonus të konsiderueshëm financiar, Arsenali do të siguronte një nga sulmuesit më të mirë në Evropë përpara se ai të mbetej lojtar i lirë, ndërsa Real Madridi do të shmangte humbjen e një prej aseteve më të çmuara pa përfituar asnjë dëmshpërblim.

Paqartësitë rreth së ardhmes së Viniciusit lidhen me ngecjen e negociatave për kontratën e re.

Real Madridi besohet se i ka ofruar anësorit brazilian një pagë prej rreth 22 milionë eurosh në sezon, ndërsa përfaqësuesit e lojtarit po kërkojnë një paketë financiare që i afrohet 30 milionë eurove në vit, në nivelin e futbollistëve më të paguar të klubit./Telegrafi/