Please enter at least 3 characters.

Çitaku për deklaratën e ministres serbe: Ideologjia që prodhoi gjenocid s’është mposhtur

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, duke komentuar deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq se po të ishte në vend të Millosheviqit do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën, tha se kjo dëshmon që ideologjia gjenocidale në Serbi nuk është mposhtur.

Ajo tha se zërat që glorifikojnë krimet vazhdojnë të jenë në institucionet serbe.

“Kur e dëgjon një ministre të Qeverisë së Serbisë të thotë se Serbia është dashur ta spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998, e kupton se problemi nuk është vetëm e kaluara. Problemi është se ideologjia që prodhoi gjenocid, masakra dhe dëbime masive ende nuk është mposhtur. Pra, sipas tyre, nuk paskan vrarë mjaftueshëm. Nuk paskan djegur mjaftueshëm. Nuk paskan dëbuar mjaftueshëm. Kjo nuk është vetëm fyerje për viktimat e luftës. Është dëshmi se Serbia ende nuk është përballur me të kaluarën e saj kriminale dhe se zërat që glorifikojnë krimet vazhdojnë të kenë vend në institucionet e saj”, tha Çitaku.

Por, zyrtarja e lartë e PDK-së tha Kosova nuk u gjunjëzua atëherë, as sot, as nesër.

“Në vitin 1998 e 1999, Serbia ishte shumëfish më e madhe, më e armatosur dhe më e fuqishme ushtarakisht. Ne ishim pala më e dobët në armë, por jo në shpirt. Humbëse nuk ishte Kosova. Sepse nuk ka forcë më të madhe se zemra e një njeriu që është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për lirinë. Nuk ka ushtri që e mposht vullnetin e një populli që ka vendosur të jetojë i lirë. Kosova nuk u gjunjëzua atëherë. Nuk do të gjunjëzohet as sot. As nesër. As kurrë. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës”, u shpreh

Deklarata e Paunoviqit nxiti reagime të ashpra në Kosovë, ndërsa nga BE-ja thanë se deklarata të tilla s’kanë vend në Evropë dhe iu bëri thirrje liderëve në Serbi të përmbahen nga deklarata nxitëse.