Please enter at least 3 characters.

Chris Rock zbulon kushtin për t’u rikthyer në ceremoninë e 'Oscars' pas incidentit me Will Smith ku u godit me shuplakë

Chris Rock ka folur në intervistën e tij të parë të madhe që nga incidenti i famshëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscars në vitin 2022, duke zbuluar edhe kushtin e vetëm nën të cilin do të rikthehej në këtë event.

Katër vjet pasi u godit me shuplakë nga aktori Will Smith gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, komediani ka folur për incidentin në një intervistë për “Variety”, por edhe për mundësinë që një ditë të shfaqet sërish në ceremoninë e Oscars.

Ngjarja ndodhi teksa Rock ishte në skenë për të prezantuar çmimin për filmin më të mirë dokumentar. Gjatë prezantimit, ai bëri një shaka për kokën e rruar të Jada Pinkett Smith, e cila vuan nga alopecia dhe ka folur publikisht për gjendjen e saj.

“Jada, të dua. Mezi pres ta shoh ‘G.I. Jane 2’!”, kishte thënë Rock, duke iu referuar filmit “G.I. Jane”, në të cilin Demi Moore shfaqet me kokë të rruar.

Menjëherë pas kësaj, Will Smith u ngjit në skenë dhe e goditi Rockun me shuplakë, përpara se të kthehej në vendin e tij dhe t’i bërtiste: “Mos e fut emrin e gruas sime në gojën tënde të qelbur!”

Pak më vonë, Smith fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë, ndërsa Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit vendosi më pas ta përjashtojë nga aktivitetet e saj, përfshirë ceremoninë e Oscars, për një periudhë prej dhjetë vjetësh. Aktori më vonë e dënoi publikisht veprimin e tij.

Rock për një kohë të gjatë nuk kishte folur në detaje për incidentin, por një vit më vonë e përdori atë si material në një prej shfaqjeve të tij stand-up.

“Goditja ishte aq e fortë, sa në veshë më tingëllonte ‘Summertime’”, kishte deklaruar ai në atë kohë, duke iu referuar këngës së famshme.

Në intervistën e publikuar më 8 shtator, Rock ka konfirmuar se do të rikthehej në ceremoninë e Oscars vetëm nëse do të ishte vetë një prej të nominuarve për një çmim.

“Unë nuk do të nominohem. Do të rikthehesha vetëm nëse do të nominohesha, dhe kjo nuk do të ndodhë. Dhe është në rregull. Nëse ndonjëherë ndodh, do të merremi me të. Duhet të keni pritshmëri realiste”, është shprehur komediani.

Rock gjithashtu nuk duket veçanërisht i interesuar për të marrë sërish rolin e prezantuesit të ceremonisë. Ai ka vlerësuar moderatorët që kanë udhëhequr ceremonitë e mëdha të Hollywoodit vitet e fundit, duke lënë të kuptohet se koha e tij në atë rol mund të ketë përfunduar.

“Kanë prezantues të shkëlqyer. Conan O’Brien është i jashtëzakonshëm. Nikki Glaser është fantastike në Golden Globes. Nuk do të them kurrë, por sinqerisht mendoj se koha ime ka kaluar”, ka thënë Rock.

Duke folur për mënyrën se si ndihet katër vjet pas incidentit, Rock ka pranuar se do të kishte preferuar që e gjithë ngjarja të mos kishte ndodhur.

“Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, do të doja që asgjë nga kjo të mos kishte ndodhur. Në të njëjtën kohë, nuk dua të them diçka që do ta largonte vëmendjen nga Rosalind dhe roli i saj i shkëlqyer në këtë film”, ka deklaruar ai.

Komediani më pas e vendosi incidentin në një perspektivë më të gjerë, duke thënë se bota përballet me probleme shumë më të mëdha.

“Bota është e çmendur. Kalojmë pranë njerëzve që jetojnë në rrugë, ndodhin lloj-lloj gjërash të tmerrshme. Fakti që unë pata një ditë të keqe nuk është gjëja më e rëndësishme në botë”, ka shtuar Rock. /Telegrafi/