Please enter at least 3 characters.

Çfarë e bën mesfushën e Interit një nga më të balancuarat në Evropë aktualisht

Për herë të tretë në gjashtë sezonet e fundit, Interi u shpall kampion i Serie A. Fitorja 2-0 ndaj Parmës, e kombinuar me barazimin 0-0 të Napolit (rivali kryesor për titull) kundër Comos dhe humbjen 0-2 të Milanit në transfertë ndaj Sassuolos, bëri që “zikaltërit” ta sigurojnë titullin e 21-të kampion të Italisë me tri ndeshje pa u luajtur.

Edhe pse u eliminuan në mënyrë befasuese nga Ligën e Kampionëve në raundin “play-offit” nga norvegjezët e Bodo/Glimt, Interi mund ta mbyllë sezonin me dopietë nëse e mposht Lazion në finalen e Kupës së Italisë më 13 maj.

Gjatë gjithë sezonit, Interi është shtyrë përpara nga golat e dyshes sulmuese Lautaro Martinez dhe Marcus Thuram, të cilët së bashku kanë shënuar 38 gola.

Megjithatë, një pjesë e madhe e suksesit këtë sezon (dhe në sezonet e fundit) lidhet me një mesfushë që e përzien punën e madhe me kreativitetin, duke e lidhur mbrojtjen me sulmin dhe duke krijuar vazhdimisht raste për Martinez dhe Thuram. Si te çdo skuadër elitare në futbollin evropian, mesfusha është “motori” i ekipit. Por çfarë e bën mesfushën e Interit kaq të balancuar?

Përvojë dhe fitues të mëdhenj

Bërthama e mesfushës së Interit ndër vite është ndërtuar mbi lojtarë me përvojë dhe mentalitet fituesi. Me Hakan Çalhanoğlu (32) dhe Henrikh Mkhitaryan (37), kampionët e Italisë kanë dy “shtylla” me CV të pasur. Sidomos Mkhitaryan ka luajtur për klube të mëdha evropiane dhe ka fituar Ligën e Evropës me Manchester United dhe Liga e Konferencës me Romën.

Edhe pse është 37 vjeç, Mkhitaryan ka luajtur mbi 1800 minuta në sezonin e titullit. Pavarësisht moshës, ai – me Davide Frattesi (26) si zëvendësues shumë të aftë – i jep Interit këmbëngulje, agresivitet dhe cilësi me topin, duke e ndihmuar skuadrën ta kontrollojë betejën në mesfushë.

Kjo u jep hapësirë lojtarëve si Çalhanoglu, Piotr Zielinski dhe i riu Petar Sucic (22) që ta shfaqin kreativitetin e tyre, për t’i ushqyer sulmuesit në krye. Këta mesfushorë kanë dhënë kontribut të madh në gola dhe asistime, ndërsa punojnë pa u kursyer edhe në fazën mbrojtëse.

Nëse merren parasysh edhe shifrat e krahëve (anësorëve) Federico Dimarco dhe Denzel Dumfries, del edhe më qartë sa i fortë është “pesëshi” i mesfushës në skemën fluide 3-5-2.

“Diamanti” i mesfushës: Nicolo Barella

Edhe pse Interi ka shumë cilësi në mesfushë, ylli kryesor konsiderohet zëvendëskapiteni Nicolò Barella. 29-vjeçari iu bashkua Interit nga Cagliari në korrik 2019 për 32.5 milionë euro dhe që atëherë ka qenë thuajse gjithmonë ndër emrat e parë në formacion.

Barella i kombinon në mënyrë ideale presionin e pandalshëm ndaj kundërshtarit, pasimet vendimtare dhe kontributin në të dyja fazat e lojës.

Ai është bërë i pazëvendësueshëm jo vetëm për Interin, por edhe për Italinë, ku ka 70 paraqitje. Përveç përvojës, ai ka edhe inteligjencën për ta “marrë ndeshjen në dorë” kur skuadra ka nevojë.

Pikërisht ky kombinim i punës së madhe dhe kreativitetit – që e ofron Barella bashkë me shokët e tij – është arsyeja pse Interi e ka atë balancë në mesfushë që i lejon ta kontrollojë lojën në çdo fazë.

Edhe pse në Evropë kanë mbetur prapa pritshmërive vitet e fundit, në Itali Interi mbetet skuadra që duhet mposhtur. Dhe edhe pse Mkhitaryan e Çalhanoğlu po hyjnë në fazën e fundit të karrierës, Interi duket se ka mjaftueshëm cilësi për ta ruajtur këtë ekuilibër që është shndërruar në çelësin e suksesit. /Telegrafi/