Please enter at least 3 characters.

Buzët “latex” janë trendi më joshës i verës: Buzë të plota, të ndritshme dhe pa filtër

Me pak hidratim, kontur, buzëkuq të lëngshëm dhe shumë shkëlqyes, ky stil krijon efektin e buzëve të lëmuara si xham

Ky stil përshtatet në mënyrë të përkryer me rikthimin e shkëlqyesit të buzëve, i cili po zgjat tash e një kohë. Markat e bukurisë po rikthejnë trendet e vjetra të grimit, po lansojnë formula të reja me shkëlqim dhe, në njëfarë mënyre, po i nxjerrin sërish në pah produktet që dikur zhdukeshin nga raftet para 20 vjetësh. Nostalgji, por në një version shumë më të ndritshëm.

Ndryshe nga trendet mat, të cilat nuk largohen kurrë plotësisht, latex lips i vendosin buzët në qendër të vëmendjes. Ideja është e thjeshtë: gjithçka i nënshtrohet volumit, shkëlqimit dhe efektit “uau pa filtër”.

Procesi duket si një rutinë e vogël bukurie me rezultat të madh. Fillon me një bazë të lehtë grimi, madje edhe pa të, ndërsa vetullat mbeten natyrale ose ngrihen lehtë lart, për t’i dhënë fytyrës pamje më të freskët dhe më të hapur. Fokusi kalon menjëherë te buzët – pa asnjë kompromis, transmeton Telegrafi.

Buzët duhet të jenë mirë të hidratuara, sepse shkëlqimi nuk e fal tharjen. Konturi përcaktohet me laps buzësh në një nuancë natyrale, më pas vendoset një shtresë buzëkuqi të lëngshëm, e cila përhapet lehtë me prekje që ngjyra të “ngjitet” më mirë. Pas tharjes, shtohet edhe një shtresë tjetër për intensitet më të fortë.

Momenti final është thelbësor: shkëlqyesi vendoset mbi gjithçka, dhe jo me kursim. Për efekt shtesë “xhami”, pak më shumë shkëlqim në qendër të buzëve krijon atë pamje të plotë, të lëmuar dhe vezulluese që i ka dhënë edhe emrin trendit. Nëse diçka del pak jashtë konturit, korrektor dhe një brushë e hollë e rregullojnë menjëherë.

@victorialyn Latex lip combos!💄👄💦 Which color was your fav? #makeup#beauty#lipstick#lipgloss#latexlips♬ Lo-fi hip hop - NAO-K

Efekti më dramatik arrihet me nuanca të kuqe dhe më të errëta, por trendi funksionon po aq mirë edhe me tone korali për verën ose me nuanca të buta rozë për kombinime ditore, sidomos kur lëkura tashmë ka marrë pak ngjyrë nga dielli.

Në thelb, latex lips janë rikthim te ideja se grimi duhet të shihet – dhe të shihet mirë. Nuk bëhet më fjalë për një shkëlqim të lehtë që “ndoshta ekziston”. Këtu gjithçka është e qartë, e dukshme dhe me shkëlqim maksimal. /Telegrafi/