Bunjaku udhëton nëpër Gjermani, Halimi do ta përfaqësojë Kosovën
Njeriu që nuk lodhët asnjëherë nga puna që e bën, ka vizituar lojtarë të ndryshëm në Gjermani, për të biseduar me ta nga afër rreth ndeshjes së muajit mars, kur Përfaqësuesja jonë do të luajë miqësore, por që kundërshtari ende nuk është bërë publik, transmeton Telegrafi.
Bunjaku ka pasur takime me lojtarët e Përfaqësueses, si Enis Alushi, Faton Toski, Leart Paqarada, Enis Bunjaki, Julian Biblekaj e të tjerë.
Ai ka shfrytëzuar rrjetin social Facebook, për të treguar se ka udhëtuar mbi 3.300 kilometra, për t’i vëzhguar lojtarët.
“Pas 3.300 km udhëtime në Gjermani/Danimarkë dhe shumë takimeve me lojtarë, familjarë, klube, tani në plan është udhëtimi me datën 21-22/02 në Berlin”, ka shkruar Bunjaku në profilin e tij në Facebook.
E lojtari më i ri i Kosovës me gjasë do të jetë mesfushori fantastik Besar Halimi, i cili luan në Sttugart Kickers dhe është aktualisht asistuesi më i mirë në të gjitha ligat e Gjermanisë.
Në një prononcim për Telegrafin, Halimi ka treguar se është takuar së bashku me pjesëtarë të familjes së tij me trajnerin Bunjaku.
“Jemi takuar me trajnerin Albert Bunjaku në Frankfurt, ku kemi biseduar për mundësinë që unë të luaj me Kosovën. Jam shumë i lumtur që kam zgjuar interesimin e vendlindjes time, dhe edhe më i lumtur që trajneri erdhi dhe më takoi. Unë jam i gatshëm që të luaj me Përfaqësuesen time që nga ndeshja e radhës në mars. Shpresoj në një ftesë”, tha Halimi për Telegrafin.
20-vjeçari llogaritët si talenti më i madh në Bundesliga 3 të Gjermanisë, ndërsa ai ka zhvilluar 23 ndeshje me Kickersin, ku ka shënuar dy gola dhe ka bërë 13 asistime.
Halimi më parë ka qenë edhe pjesë e Kombëtares së Gjermanisë për grupmoshat U18 dhe U19. /Telegrafi/


