Brazili dhe Maroku ndajnë pikët në një spektakël të vërtetë
Brazili dhe Maroku kanë barazuar 1-1 në ndeshjen hapëse të Grupit C të Kupës së Botës 2026, pas një përballjeje të luftuar dhe me raste të shumta në të dyja anët.
Ishte Maroku që goditi i pari në minutën e 21-të me një gol të jashtëzakonshëm të Ismael Saibarit.
Mesfushori maroken përfitoi nga një pozicionim jo ideal i Alissonit dhe realizoi me një parabël spektakolare nga skaji i zonës, pas asistimit të Brahim Diazit, për t’i dhënë epërsinë skuadrës afrikane.
Maroku vazhdoi të luante me vetëbesim, por Brazili reagoi gradualisht dhe filloi të merrte kontrollin e lojës.
Në minutën e 32-të erdhi edhe goli i barazimit. Vinicius Junior zhvilloi një aksion individual të shkëlqyer, depërtoi në zonë dhe lëshoi një goditje të pandalshme drejt këndit të sipërm të portës së Bono-s për rezultatin 1-1.
Pjesa e parë u karakterizua nga ritëm i lartë dhe raste të shumta. Në kohën shtesë, Lucas Paqueta humbi një mundësi të artë për t’i kaluar brazilianët në epërsi, por Bono reagoi në mënyrë fantastike duke ruajtur baraspeshën.
Në fillim të pjesës së dytë, trajneri Carlo Ancelotti ndërhyri me dy zëvendësime, duke larguar Casemiron dhe Ibanezin.
Brazili vazhdoi të ushtrojë presion dhe në minutën e 52-të Bono realizoi pritjen e ndeshjes, duke ndalur një goditje të rrezikshme të Igor Thiagos që po shkonte nën traversë.
Minutat e fundit sollën luftë të madhe në mesfushë dhe disa tentativa për golin e fitores, por mbrojtjet dhe sidomos portieri maroken Bono qëndruan në lartësinë e detyrës.
Në fund, skuadrat u desh të kënaqeshin me nga një pikë, pas një ndeshjeje që dhuroi atmosferë të vërtetë botërori, futboll cilësor, gola spektakolarë dhe paraqitje të shkëlqyera individuale./Telegrafi/


