Please enter at least 3 characters.

Bosnja dhe Hercegovina nuk do të marrë pjesë as në Eurovision në vitin 2027

Bosnja dhe Hercegovina nuk do të marrë pjesë në Eurovision as në vitin 2027, duke vazhduar mungesën e saj të gjatë nga konkursi më i madh evropian i muzikës.

Arsyeja kryesore mbeten problemet financiare të transmetuesit publik BHRT, i cili vazhdon të jetë nën sanksionet e Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) për shkak të borxheve të papaguara.

Vendimi është konfirmuar nga vetë BHRT, i cili theksoi se, derisa të zgjidhet çështja e detyrimeve financiare ndaj EBU-së, Bosnja dhe Hercegovina nuk do të mund të rikthehet në Eurovision.

- YouTubewww.youtube.com

Ndërkohë, autoritetet dhe transmetuesi publik kanë ndërmarrë disa iniciativa për përmirësimin e gjendjes financiare, përfshirë procese gjyqësore dhe mbështetje nga institucionet shtetërore, por ende nuk është arritur një zgjidhje përfundimtare.

Bosnja dhe Hercegovina debutoi në Eurovision në vitin 1993, ndërsa suksesin më të madh e arriti në vitin 2006, kur Hari Mata Hari zuri vendin e tretë me këngën "Lejla".

Pjesëmarrja e fundit e vendit ishte në vitin 2016 me këngën "Ljubav je", të interpretuar nga Dalal, Deen, Ana Rucner dhe Jala, të cilët nuk arritën të kualifikoheshin në finalen e konkursit.

Që prej atëherë, vendi ka munguar çdo vit për shkak të vështirësive financiare të transmetuesit publik. /Telegrafi/

- YouTubewww.youtube.com