Bisedime me Serbinë, vetëm si dy shtete të pavarura
- Fjala e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara -
New York, 17 maj 2010
Shkëlqesi,
Me kënaqësi të madhe shfrytëzoj rastin të flas para jush dhe të informoj Këshillin për zhvillimin e qëndrueshëm që vendi im, Republika e Kosovës, ka vazhduar ta bëjë në shumë fusha gjatë periudhës së raportimit.
Të festuarit e përvjetorit të dytë të pavarësisë së vendit tim, saktësisht para tre muajsh, ishte edhe një rast tjetër solemn dhe i përshtatshëm për të parë dhe vlerësuar të arriturat, përparimin, ngjarjet kryesore dhe zhvillimet në Kosovë gjatë dy viteve të pavarësisë.
Njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran ka vazhduar. Që nga takimi i fundit i Këshillit të Sigurimit për Kosovën, edhe tri shtete të tjera, Mbretëria e Swazilandit, Republika e Vanuatus dhe Republika e Xhibutit, e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë. Dëshiroj t’i falënderoj përzemërsisht dhe të shpreh mirënjohje për popujt dhe qeveritë e këtyre tri vendeve për përkrahjen e të drejtës legjitime të popullit për liri dhe pavarësi. 68 vende përreth botës e kanë njohur formalisht shtetin më të ri në botë, por mbi të gjitha, Kosova është e bekuar që ka edhe vende të tjera po ashtu përkrahëse në mesin e atyre që ende nuk na kanë njohur, siç janë ato të cilat kanë përkrahur anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Kam kënaqësinë ta njoftoj Këshillin se shumë vende në botë kanë paralajmëruar njohjet e tyre shpejt ose kanë thënë se procedura për njohjen formale është në rrugë e sipër.
Në planin e brendshëm, që nga debati i fundit në Këshill të Sigurimit, Kosova ka përjetuar një numër zhvillimesh pozitive. Situata e përgjithshme e sigurisë është e qetë dhe stabile. Diskutimet dhe përpjekjet që ta bëjnë perspektivën evropiane dhe integrimet e Kosovës më të përafërta kanë shënuar këtë periudhë raportuese. Duke qenë jashtëzakonisht të përkushtuar të ndjekim me vendosmëri synimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, Qeveria e Republikës së Kosovës është angazhuar në një proces gjithëpërfshirës me institucionet e Bashkimit Evropian për t’i dhënë një dinamikë të re perspektivës evropiane për Kosovën.
Mbështetur në Kushtetutën tonë, kemi themeluar Ministrinë për Integrime Evropiane, një institucion i cili do të koordinojë punën e të gjitha ministrive të linjës lidhur me kërkesat specifike të cilat dalin nga procesi për integrim evropian.
Themelimi i Ministrisë dhe emërimi i menjëhershëm i Ministrit për Integrime tregon për rëndësinë e madhe që Republika e Kosovës i kushton perspektivës së vet evropiane. Kosova përkrah në mënyrë të njëjtë perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Në pajtim me këtë, ne konsiderojmë se bashkëpunimi dhe ndihma e përbashkët e vendeve në rajon është thelbësore për një integrim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian të shtatë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Republika e Kosovës tanimë ka filluar implementimin e një varg reformash ambicioze për t’i përmbushur standardet e kërkuara evropiane. Natyrisht, ne e dimë se ky do të jetë një udhëtim me kërkesa. Jemi të mendimit se, sikurse edhe vendet e tjera në rajon, Kosova duhet të ftohet shpejt për të filluar dialogun me Komisionin Evropian për liberalizim të vizave. Tregtia dhe ekonomia janë sektorë tjerë të rëndësishëm që kërkojnë perspektivë të veçantë evropiane. Marrëveshja për tregti në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian është qëllim i yni dhe ne po bëjmë të gjitha përpjekjet ta arrijmë këtë qëllim. Me 16 prill, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka dorëzuar pyetësorin e kompletuar lidhur me marrëdhëniet tregtare me Bashkimin Evropian, dhe shpresojmë se kjo dhe përgatitjet e tjera në të gjitha nivelet do t’i mundësojnë Komisionit t’i fillojë negociatat.
Z. President,
Anëtarë të respektuar të Këshillit,
Qeveria e Republikës së Kosovës ka shtuar përpjekjet për të adresuar dhe zgjidhur shumë çështje me rëndësi të veçantë për ekonominë tonë, drejtësinë dhe sigurinë, si dhe luftën kundër krimit, korrupsionit dhe aktiviteteve kriminale kufitare. Qeveria ka themeluar një grup të veçantë që të merret me çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX-i, ofron ndihmë të pazëvendësueshme për sektorët e policisë dhe drejtësisë.
Më lejoni të theksoj se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi rajonal dhe bilateral në luftimin e krimit të organizuar. Shembull i bashkëpunimit të ngushtë në luftën kundër aktiviteteve të jashtëligjshme ndërkufitare, ishte edhe vizita e fundit në Shkup e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës për t’u takuar me homologen e tij, me c’rast kanë rikonfirmuar zotimin e të dy vendeve për të bashkëpunuar në luftimin e krimit të organizuar dhe të aktiviteteve kriminale ndër- kufitare. Qeveria e Kosovës ka dënuar fuqimisht incidentin që ndodhi në Maqedoni në afërsi me kufirin e Kosovës ditë më parë.
Në fushën e ekonomisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar një kontratë për projekt madhor me konsorciumin Bechtel-Enka për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare. Ndërtimi i rrugës me katër korsi, i cili lidh Kosovën me Shqipërinë në perëndim dhe me Serbinë në lindje, tanimë ka filluar. Kjo autostradë do t’i sigurojë Kosovës dhe padyshim tërë rajonit një korridor jashtëzakonisht përfitues, i cili do te jetë në të mirë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Në anën tjetër, ristrukturimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe publike po ashtu ka vazhduar qoftë përmes privatizimit ose koncesionimit siç është rasti i koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Një projekt tjetër madhor i cili është në rrugë e sipër, që është pjesë e strategjisë qeveritare për energjinë, ka të bëjë me centralin e ri energjetik i cili do të shfrytëzojë thëngjillin.
Z. President,
Institucionet e Republikës së Kosovës kanë vazhduar të punojnë në përmirësimin e kushteve në vendbanimet e komuniteteve minoritare, veçanërisht në vendbanimet me shumicë serbe. Përkrahja e pakufizuar i është ofruar komunave të sapothemeluara dhe udhëheqësve të porsaemëruar të këtyre komunave që të kenë mundësi të përballen me sfidat e reja. Gjatë periudhës raportuese, si Presidenti Sejdiu ashtu edhe Kryeministri Thaçi, kanë vazhduar t’i qasen komunitetit serb përmes vizitave të shpeshta në komunat me shumicë serbe.
Decentralizimi, i mbështetur në Planin e Ahtisaarit, mbetet prioritet politik për të gjithë vendin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës ka caktuar zgjedhjet komunale të mbahen me 20 qershor 2010 për një nga komunat e reja me shumicë serbe, komunën e Parteshit.
Pa dëshirë, më duhet megjithatë të përsëris se Republika e Serbisë përmes ndërhyrjeve destabilizuese dhe jashtëzakonisht penguese, ka vazhduar të jetë e padobishme. Inkurajimi dhe përkrahja e strukturave ilegale në veri ka vazhduar dhe shpallja për mbajtjen e të ashtuquajturave zgjedhje të organizuara nga Republika e Serbisë në veri të Kosovës, janë edhe një ndërhyrje tjetër e papërgjegjshme dhe e papranueshme.
Aktet e tilla kanë për qëllim minimin e përpjekjeve për të vendosur ligjin dhe rendin ne veri siç është paraparë në strategjinë gjithëpërfshirëse. Ndaj reagimeve që kanë për qëllim dezorientimin si dhe ndaj komenteve që bëhen rreth strategjisë së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it për veriun, ju them se e tëra që kjo strategji ka për qëllim të arrijë, është të sigurojë kushte të përshtatshme dhe normale për jetë për të gjithë qytetarët e Kosovës në tërë territorin e vendit tonë. Normaliteti, përmes vendosjes së ligjit dhe rendit në tërë vendin tim, është më se i kërkuar nga të gjithë kosovarët, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre etnike ose religjioze, dhe ne jemi aty që t’ju ofrojmë këtë.
Z. President,
Bashkëpunimi bilateral me fqinjët si dhe bashkëpunimi rajonal vazhdojnë të jenë në qendër të prioriteteve më të larta të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës ka marrëdhënie shumë të mira dhe bashkëpunon ngushtë për një varg çështjesh të përbashkëta me fqinjët e saj më të afërt, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.
Ne ftojmë Republikën e Serbisë t’i bashkohet përpjekjeve të vendeve tjera në Ballkanin Perëndimor për të krijuar një ambient mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në rajon, duke përfshirë edhe normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Kosovës. Qeveria ime është e gatshme të angazhohet në bisedime me Serbinë për çështje të shumta të interesit të përbashkët si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Dialogu do të ndihmonte zbutjen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona.
Z. President,
Anëtarë të nderuar të Këshillit,
Gjetja e fundit e varrezës masive në Serbi me trupat e qindra shqiptarëve të Kosovës ka nxitur një valë të re të pikëllimit të thellë për mijëra familje kosovare që janë të prekura nga çështja ende e pazgjidhur e personave të zhdukur nga lufta e Kosovës. Është e padenjë që edhe pas njëmbëdhjetë vitesh pas lufte, ende nuk dihet vendndodhja e 1.862 personave. Ne i ftojmë të gjitha palët e përfshira të bëjnë të pamundurën që përfundimisht ta zgjidhin çështjen e personave të zhdukur.
Z. President,
Anëtarë të nderuar të Këshillit,
Në fund, më lejoni të theksoj përkushtimin serioz të Kosovës që të bëhet anëtar kontribuues i komunitetit ndërkombëtar. Republika e Kosovës pret me padurim të punojë me të gjithë anëtarët e Këshillit me qëllim të promovimit të qëllimeve të përbashkëta për paqe dhe siguri ndërkombëtare. Edhe njëherë dua t’ju falënderoj për mundësinë e dhënë për paraqitjen e pikëpamjeve të Republikës së Kosovës.
Ju faleminderit!


