Biletat në shitje për ndeshjen e Kosovës më 31 mars ndaj Turqisë ose Rumanisë
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar se kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen e radhës së ekipit kombëtar, që do të zhvillohet më 31 mars 2026, me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Fati i kësaj ndeshjeje lidhet drejtpërdrejt me përballjen paraprake në Sllovaki. Në rast se Kosova siguron fitore, atëherë përballja e 31 marsit do të jetë finale e “play-off”-it, ku kundërshtar do të jetë fituesi i duelit mes Turqisë dhe Rumanisë.
Në të kundërtën, nëse “Dardanët” pësojnë humbje, kjo ndeshje do të zhvillohet si miqësore ndaj humbësit të çiftit Turqi–Rumani.
Interesimi pritet të jetë i madh, pasi bëhet fjalë për një takim me peshë, qoftë për një finale historike apo një përballje testuese me kundërshtarë të fortë evropianë.
Biletat janë në dispozicion përmes platformës online, ndërsa çmimet variojnë sipas sektorëve: 10 euro për tribunat Veri dhe Jug, 20 euro për Lindje, 30 euro për Perëndim dhe 100 euro për sektorin VIP.
Tifozët tashmë kanë mundësinë të sigurojnë vendin e tyre në stadium për një natë që premton emocione të mëdha dhe atmosferë të zjarrtë në kryeqytet. /Telegrafi/


