Bexheti: Me programet studimore që i ofron, UEJL është më i miri
Abdylmenaf Bexheti për një vit është rektor në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) dhe Telegrafi Maqedoni e ka intervistuar për të mësuar më shumë rreth këtij universiteti dhe për funksionimin aktual dhe në të ardhmen.Si ka ndryshuar funksionimi i UEJL-së nga ardhja juaj? Ardhja ime në krye të UEJL-së lidhet me rrethanat natyrale të kërkesave të kohës dhe institucionit. Në aspektin menaxherial, kjo nënkupton një përkushtim dhe disiplinë më të vendosur për të gjithë stafin, si atë akademik, po ashtu edhe atë administrativ e logjistik. Në pjesën akademike, kriteret e mia janë natyrale dhe të bazuara ekskluzivisht në merita, sa më të barabarta për të gjithë, pa kurrfarë dallimi. Këtë e dinë mbi 20 gjenerata (nga viti 1999, në UT dhe nga 2001, në UEJL) studentesh, që kam nxjerr deri më tani në dy fakultete, atë të Ekonomisë/Biznesit dhe të Shkencave Shoqërore Bashkëkohore, njëkohësisht. Në pjesën menaxheriale, qasja ime është e bazuar në zbatimin e sistemit të matjeve të performancës, pra jo vetëm sa inpute jepni, por sa rezultate arrini. Mbi këtë bazë dhe këto parime mendoj se duken rezultatet edhe akademike edhe financiare të universitetit. Këto të fundit gjeneruan rezultate të dukshme, të matshme dhe të prekshme për vitin e parë nga deficiti struktural buxhetor. Për herë të parë UEJL-ja realizon vit me suficit buxhetor.
Sa i ndihmon shteti UEJL-së? Ka 5-6 vite që shteti ka filluar ta ndihmojë UEJL-së në vlerë prej 8-9% të buxhetit të tij, kurse nga buxheti i këtij viti kjo mbështetje financiare u rrit në rreth 15%. Jemi të kënaqur me këtë mbështetje dhe shpresojmë se trendi rritës të vazhdojë sepse destinimin kryesor të këtij subvencioni publik e kemi për bursat e studentëve të bazuara në merita, si dhe në komponentën e cilësisë në mësimdhënie dhe projekte praktike e hulumtime. Pak merr edhe standardi studentor.
A ka ndonjë nevojë për ndryshim në sistemin e lartë arsimor që kërkon UEJL nga shteti për të ndikuar pozitivisht në funksionimin e UEJL-së? Patjetër që po, si në aspektin normativ, ashtu edhe në atë të vlerësimit, akreditimit dhe financimit. Akreditimi duhet të bazohet në vlerësimin sipas kritereve standarde në programet përkatëse dhe jo në politikën ditore. Mbi këtë bazë, gjithashtu edhe sistemi i financimit, i cili duhet tu destinohet outputeve (rezultateve) dhe jo inputeve në statusin e institucioneve-vetëm pse politika i ka paracaktuar si publike! Por, ajo që vërtet është e pashmangshme është nevoja e menjëhershme e konsolidimit dhe optimizimit akademik të Arsimit të Lartë Shqiptar (si edhe ai maqedonas, por tani flasim për ne). Kështu siç funksionojmë ne, me 2,5 universitete publike, në më pak se 0,5 milion banorë prezentë është në dëm të madh të cilësisë, por edhe të hiperprodhimit në disa profile dhe deficitit në disa profile tjera! Është koha e fundit, që së pari ne udhëheqësit e këtyre tre universiteteve (pra UT-ja, UEJL-ja dhe UNT-ja) dhe pastaj edhe politikbërësit publik t’i qasen këtij projekti, në të kundërtën, do të na mallkojnë gjeneratat që pasojnë!
A kanë interesim studentët e Kosovës dhe rajonit për të studiuar në UEJL dhe cila është strategjia juaj për të rritur numrin e studentëve të rajonit në universitetin që ju e drejtoni? Ne rreth 1/3-ën e të gjithë studenteve, në çdo gjeneratë, e kemi nga Kosova dhe Lugina e Preshevës. Nëse përjashtohet rasti i profileve mjekësore, (për arsye të njohura të limitimeve vendore), në UT, ne jemi universiteti i vetëm me këtë numër kaq të lartë të studenteve jashtë vendit, bile në programet dhe oferta që dhjetëra universitete i ofrojnë në Kosovë, por edhe në Luginë!
Me sistemin e platformës elektronike dhe sistemin modular të lëndeve mendoj se do të arrijmë ta risim këtë numër edhe për rreth 30%, brenda 2-3 viteve. Sigurisht që tani edhe afërsia fizike me auto-rrugën e re, posaçërisht në kampusin e Shkupit, i rritë mundësitë dhe shanset për këtë. Ajo, që është me e rëndësishme se neve na vijnë shumë studentë të mirë nga Kosova, posaçërisht ato të studimeve të doktoratës, të cilët lënë edhe ofertat e universiteteve, ku edhe punojnë për të studiuar te ne. Sivjet kemi edhe dy programe të reja studimore tejet atraktive për gjeneratat e reja, atë të Ndërmarrësisë praktike (me bursa komplete nga kompania donator i programit), si dhe atë të Informatikës Juridike (të vetmen në rajon).


