Please enter at least 3 characters.

Befason JD Vance: SHBA-ja nuk është në luftë me Iranin

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance deklaroi se nuk mund të parashikojë se kur do të përfundojë konflikti me Iranin dhe as kur çmimet e karburanteve do të kthehen në nivelet para luftës. Sipas tij, përfundimi i përplasjes, e cila nisi gjashtë muaj më parë me sulmet ajrore amerikano-izraelite, varet nga Irani.

JD Vance tha se situata nuk duhet të quhet “luftë”, pasi sipas tij operacionet aktive luftarake kanë përfunduar muaj më parë.

Megjithatë, SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer zjarr për tri ditë radhazi këtë javë, përfshirë edhe në zonën e Ngushticës së Hormuzit. Sipas Pentagonit, që nga fillimi i konfliktit janë plagosur 790 ushtarë amerikanë dhe 18 kanë vdekur.

SHBA-ja të martën goditi rreth 60 objektiva ushtarake pranë ngushticës, përfshirë mbrojtjen ajrore, radarët, anijet, pajisjet për vendosjen e minave dhe qendrat e komunikimit. Ushtria amerikane planifikon të vazhdojë sulmet, ndërsa zyrtarët thonë se Irani ka aftësi të rikthejë shpejt kapacitetet e tij ushtarake, raporton ap.

Konflikti ka ndikuar edhe në tregjet energjetike, duke rritur çmimet e karburanteve dhe duke shqetësuar republikanët para zgjedhjeve për Kongresin. Presidenti Donald Trump ka thënë se nuk ndien presion për t’i dhënë fund konfliktit para zgjedhjeve, megjithëse aleatët e tij pranojnë se politikisht do të ishte më mirë që deri në nëntor të flitej sa më pak për luftën.

Vance, i cili fillimisht ishte kundër luftës, kishte udhëhequr përpjekjet për një zgjidhje diplomatike, por armëpushimi i negociuar prej tij dështoi pas dy javësh.

Ndërkohë, administrata amerikane po heton raportet se katër persona u vranë në një dasmë pranë Ngushticës së Hormuzit gjatë sulmeve amerikane. Vance nuk e përjashtoi mundësinë e viktimave civile.

Teherani është kundërpërgjigjur duke goditur baza amerikane në rajon. Vance konfirmoi se aktualisht nuk ka negociata me Iranin dhe tha se SHBA-ja nuk do të negociojë derisa Irani të ndalojë sulmet ndaj anijeve tregtare.

Ai gjithashtu refuzoi të parashikojë se kur çmimet e karburanteve mund të kthehen në 3 dollarë, duke thënë se objektivi kryesor i SHBA-së është të parandalojë Iranin të pajiset me armë bërthamore. /Telegrafi/