Bayerni ka tre objektiva të mëdha për sezonin e ri
Bayern Munich ka mbyllur një sezon shumë të suksesshëm, duke rikthyer dominimin në Gjermani dhe duke zhvilluar një paraqitje të fortë në Ligën e Kampionëve nën drejtimin e trajnerit Vincent Kompany.
Klubi bavarez arriti të shpallet kampion i Gjermanisë me një skuadër të rinovuar dhe një stil loje më agresiv, ndërsa paraqitja në Ligën e Kampionëve konfirmoi rikthimin e Bayernit mes elitës së futbollit evropian. Gjysmëfinalja ndaj Paris Saint-Germain tregoi se skuadra nga Mynihu tashmë mund të rivalizojë sërish me ekipet më të forta të kontinentit.
Megjithatë, drejtuesit e klubit besojnë se skuadra ka ende nevojë për disa përforcime për ta rikthyer trofeun e Ligës së Kampionëve në “Allianz Arena”. Ndeshjet ndaj PSG-së zbuluan mangësi në repartin defensiv, tranzicionet dhe mungesën e thellësisë në disa pozita kyçe.
Sipas “Sky Sport Germany”, prioriteti kryesor i Bayern Munich këtë verë është përforcimi i krahëve të mbrojtjes. Edhe pse Josip Stanisic dhe Konrad Laimer konsiderohen opsione solide, drejtuesit bavarezë dëshirojnë mbrojtës krahu më ofensivë dhe më dominues në duelet evropiane.
Brenda klubit janë bërë krahasime me Achraf Hakimi dhe Nuno Mendes, ndërsa edhe legjenda e klubit Uli Hoenes ka shprehur publikisht admirimin për Hakimin. Në të njëjtën kohë, gjendja fizike e Alphonso Davies vazhdon të mbetet shqetësuese pas disa dëmtimeve muskulore.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm është afrimi i një mesfushori që mund të zëvendësojë Leon Goretzka dhe të shtojë konkurrencën pranë Joshua Kimmich dhe Aleksandar Pavlovic. Një nga emrat që po monitorohet nga afër është talenti Kennet Eichhorn.
Bayern gjithashtu synon të shtojë më shumë alternativa në sulm përreth Harry Kane dhe Luis Díaz. Një nga objektivat kryesorë është Anthony Gordon, i cili vlerësohet për fleksibilitetin në repartin ofensiv, shpejtësinë dhe intensitetin në presion.
Megjithatë, negociatat me Newcastle United nuk pritet të jenë të lehta, pasi klubi anglez kërkon një shumë të lartë për kartonin e sulmuesit anglez. /Telegrafi/


