Please enter at least 3 characters.

Bastisje e madhe në fabrikën e Hyundai në SHBA, qindra të arrestuar

Autoritetet amerikane të imigracionit kryen një kërkim në një fabrikë të madhe prodhuese të Hyundait në shtetin e Georgias, ku u arrestuan më shumë se 450 persona.

Kjo u konfirmua nga një nga agjencitë e përfshira në operacion, raportoi BBC News.

Fabrika, e ndërtuar për prodhimin e automjeteve elektrike, mbulon një sipërfaqe prej 3000 hektarësh dhe funksionon prej një viti.

Departamenti i Sigurisë së Atdheut (DHS) tha për CBS News, partner amerikan i BBC-së, se agjentët zbatuan një urdhër kontrolli për shkak të dyshimeve për "praktika të paligjshme punësimi" dhe krime të tjera serioze federale.

Hyundai Motor Company deklaroi se është në dijeni të incidentit në kantierin e kompanisë HL‑GA Battery Company, dhe se po përpiqet të kuptojë rrethanat e sakta.

“Sipas njohurive tona, asnjë nga të arrestuarit nuk është i punësuar drejtpërdrejt nga Hyundai Motor Company. Prioriteti ynë është siguria dhe mirëqenia e të gjithë atyre që punojnë në kantier”, u shpreh kompania.

Në videot e publikuara në rrjete sociale shihen agjentët që urdhërojnë punëtorët të rreshtohen dhe iu njoftojnë për urdhër kontrolli. Kompanitë koreane kanë premtuar investime miliarda dollarëshe në industri kyçe amerikane, përfshirë shmangien e tarifave doganore.

Guvernatori republikan i Georgias, Brian Kemp, e përshkroi fabrikën e Hyundait për automjetet elektrike si projektin më të madh të zhvillimit ekonomik në historinë e shtetit, që aktualisht punëson rreth 1200 persona.

Presidenti amerikan, Donald Trump, në fushatën për mandatin e dytë, kishte theksuar deportimet masive të imigrantëve pa dokumente, veçanërisht atyre që kishin kryer vepra penale. /Telegrafi/