Bastisen dy lokacione në Prishtinë, sekuestrohen armë dhe municion
Policia e Kosovës, në koordinim dhe bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ka bastisur dy lokacione në Prishtinë, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të importit, eksportit, furnizimit, transportit, prodhimit, këmbimit, ndërmjetësimit apo shitjes së paautorizuar të armëve ose materieve plasëse.
Bastisjet janë realizuar më 9 shtator 2026, ndërsa rasti daton nga 12 qershori 2025 dhe lidhet me një lokacion në rrugën “Skender Luarasi” në Prishtinë.
Gjatë operacionit, njësitë policore kanë sekuestruar si prova materiale një revole me karikator, 40 fishekë, dy telefona celularë, si dhe disa dokumente identifikuese dhe kartela bankare.
Tre persona të dyshuar, shtetas kosovarë, janë intervistuar nga autoritetet.
Pas konsultimit me prokurorin, të dyshuarit janë liruar dhe rasti do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt. /Telegrafi/


