Barcelona pritet t’i jap “vulën” historike: Cancelo drejt rekordit unik që asnjë lojtar nuk e ka arritur
Ylli portugez Joao Cancelo është pranë një arritjes së një rekordi shumë të rrallë në botën e futbollit.
Nëse ai, siç pritet, ndihmon Barcelonën ta fitojë titullin e La Ligës, ai do të siguronte kampionatin e tij të katërt në një nga pesë ligat kryesore të Evropës. Asnjë lojtar tjetër nuk e ka arritur më parë këtë, para Cancelos.
Mbrojtësi i djathtë ka fituar tituj kampioni në Ligën Premier (me Manchester Cityn në sezonet 2020/21 dhe 2021/22), në Bundesligë (me Bayern Munichun në 2022/23) dhe në Serie A (me Juventusin në 2018/19).
Ai gjithashtu ka fituar kampionatin portugez me Benficën në vitin 2014, ka ngritur trofeun e Ligës së Kampionëve me Cityn në vitin 2023 dhe e ka ndihmuar Portugalinë të fitojë Ligën e Kombeve në vitin 2019.
Yje të mëdhenj si Zlatan Ibrahimovic, Arjen Robben dhe Kingsley Coman kanë fituar më herët kampionate në tri prej pesë ligave kryesore evropiane. Ashtu si Cancelo, dy të fundit kanë qenë pjesë e klubit bavarez.
31-vjeçari pritet t’i lërë së shpejti pas, pasi Barça është në rrugë të mbarë për ta siguruar herët titullin e LaLigës.
Pas 33 javësh nga 38 të gjithsej, skuadra e Hansi Flickut ka një epërsi komode prej nëntë pikësh ndaj ndjekësit më të afërt, Real Madridit.
Gara për titull mund të mbyllet madje këtë fundjavë: nëse Barcelona fiton në transfertë ndaj Osasunës të shtunën dhe Reali humb ndaj rivalëve lokalë Espanyolit të dielën, atëherë mbrojtja e titullit nga blaugranasit dhe rekordi individual i Cancelos do të jenë të siguruara.
Megjithatë, skenari më realist është që Barcelona ta formalizojë titullin një javë më vonë, më 10 maj, në ‘El Clasicon’ ndaj Real Madridit./Telegrafi/


