Please enter at least 3 characters.

Barcelona e transferon Julian Alvarezin vetëm nëse plotësohet një kusht

Barcelona vazhdon ta mbajë Julian Alvarezin si një nga objektivat kryesorë në merkato, por sipas raportimeve nga Mundo Deportivo, klubi katalanas nuk do të ndërmarrë hapa konkretë pa një sinjal të qartë publik nga vetë sulmuesi argjentinas.

Emri i Alvarezit vazhdon të diskutohet gjerësisht në zyrat e Camp Nou, megjithatë situata mbetet e ngrirë për shkak se vëmendja e lojtarit është e përqendruar plotësisht te Kupa e Botës 2026 me Argjentinën.

Sipas raportit, drejtuesit e Barcelonës besojnë se zhvillimi i ardhshëm i rëndësishëm duhet të vijë nga vetë futbollisti, i cili deri tani ka shmangur çdo koment për të ardhmen e tij në nivel klubesh.

Për javë të tëra, Alvarez ka refuzuar të flasë për spekulimet e merkatos, duke u fokusuar vetëm te paraqitjet me Argjentinën në Botërorin që po zhvillohet në Amerikën e Veriut.

Barcelona është e vetëdijshme se negociatat me Atletico Madridin do të ishin shumë të komplikuara. Klubi madrilen, i drejtuar nga Diego Simeone, nuk është i prirur të forcojë një rival direkt në La Liga, gjë që e bën operacionin edhe më të vështirë.

Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit katalanas mendojnë se një deklaratë publike ose një sinjal i qartë nga Alvarez për dëshirën e tij për t'u transferuar në Camp Nou mund të zbusë qëndrimin e Atleticos dhe të krijojë kushtet për një marrëveshje gjatë kësaj vere.

Për momentin, gjithçka mbetet në pritje, ndërsa Barcelona po monitoron nga afër situatën e sulmuesit argjentinas, duke shpresuar që pas përfundimit të Botërorit të ketë lëvizje konkrete në këtë dosje./Telegrafi/