Banorët e Lluzhanit bllokojnë magjistralen Podujevë–Prishtinë, kërkojnë rreth-rrotullim
Banorët e fshatit Lluzhan kanë protestuar sot duke bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve në magjistralen Podujevë–Prishtinë.
Protestuesit kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me problemet që, sipas tyre, kanë vazhduar për një kohë të gjatë dhe nuk janë adresuar nga institucionet përgjegjëse.
Gjatë protestës, banorët kanë ndaluar automjetet dhe kanë kërkuar që institucionet të ndërmarrin masa konkrete për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre, ku kërkojnë të krijohet një rreth-rrotullim, raporton Telegrafi.
Një nga protestuesit ka shprehur pakënaqësinë me gjendjen në fshat, duke thënë se zona të tjera janë trajtuar, ndërsa Lluzhani është lënë pas dore.
“Marre është – kanë lënë kahmos rreth-rrotullim, veç këtu jo”, është shprehur një banor.
Banorët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta dhe reagime edhe në ditët në vijim, nëse kërkesat e tyre nuk adresohen dhe nuk ndërmerren hapa konkretë nga institucionet përgjegjëse. /Telegrafi/


