Please enter at least 3 characters.

Ballkani e demolon Dritën dhe rimerr kreun në Superligë

Ballkani ka fituar derbin e xhiros së 24-të duke e mposhtur Dritën me rezultat të thellë 3-0.

Vetëm pas tre minutave lojë vendasit kaluan në epërsi, me sulmuesin Bleart Tolaj i cili shënoi gol spektakolar për 1-0.

Dominimi i vendasve vazhdoi derisa në minutën e 35-të gjetën golin e dytë me anë të mbrojtësit Arbër Potoku.

Drita krejt çfarë bëri në pjesën e parë ishte një shtyllë e goditur nga Blerim Krasniqi.

Pjesa e dytë nisi më mirë për gjilanasit që krijuan disa raste të mira shënimi, por pa arritur të dërgonin topin në rrjetë.

Në minutën e 79-të suharekasit i dhanë goditjen finale gjilanasve, kur Almir Kryeziu shfrytëzoi një asistim fantastik nga Giovanni Ribeiro dhe shënoi për 3-0.

Me këtë fitore Ballkani rimerr pozitën e parë në tabelë me 42 pikë, sa ka edhe Drita.

Ndeshjen e ardhshme Ballkani e luan në udhëtim te Prishtina e Re, derisa Drita para adhuruesve të vet pret Dukagjinin. /Telegrafi/