Please enter at least 3 characters.

Bajrami kritikon klasën politike: Këto përplasje po i shkaktojnë humbje Kosovës

Ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe të gjithë akterëve politikë që t’i lënë mënjanë dallimet politike dhe të ulen për të gjetur një zgjidhje për konstituimin e institucioneve të vendit.

Bajrami, duke folur në emisionin “InfoMagazine” në Klan Kosova, ka vlerësuar se përplasjet e vazhdueshme politike po i shkaktojnë humbje Kosovës dhe po e dëmtojnë interesin e qytetarëve.

Ai u ka bërë thirrje si partive që kanë fituar zgjedhjet, ashtu edhe atyre që ndodhen në opozitë, që t’i kthehen dialogut politik dhe të punojnë për funksionalizimin e institucioneve.

“Unë edhe nga kjo studio, edhe pse jam jashtë rrjedhave politike, ju bëj ftesë të gjithë akterëve politikë pa dallim, qoftë atyre që kanë fituar zgjedhjet, qoftë atyre që s’i kanë fituar zgjedhjet, por që janë në opozitë, që t’i kthehen arsyes, mendjes së shëndoshë, të ulen dhe t’i themelojnë institucionet e Kosovës dhe të ecin përpara”, tha Bajrami.

Sipas tij, vazhdimi i përplasjeve politike nuk i shërben asnjë pale dhe në fund pasojat i bartin qytetarët.

“Sepse në fund e fundit këto përplasjet politike na bëjnë të gjithë humbës. Po humbësi më i madh në këtë situatë është populli i Kosovës dhe ne do ta paguajmë faturën për këta politikanë të papërgjegjshëm që i ka zgjedhur populli i Kosovës”, u shpreh ai.

Bajrami ka theksuar se përgjegjësia për tejkalimin e situatës u takon të gjithë aktorëve politikë, pavarësisht pozitës së tyre në skenën politike.