Please enter at least 3 characters.

Kosova dhe Bahamet nënshkruajnë marrëveshje për heqjen e ndërsjellë të vizave

Kosova dhe Bahamet kanë nënshkruar një marrëveshje për heqjen reciproke të vizave, duke mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy vendeve.

Kjo u bë e ditur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook.

Ajo theksoi se pas njohjes së Kosovës nga Bahamet dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në dhjetor, ky ishte hapi i radhës për forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve.

“Marrëveshja dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e lidhjeve ndërmjet qytetarëve tanë, duke i afruar ata edhe më shumë me njëri-tjetrin”, tha Osmani.

Marrëveshja do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe Bahamasit, duke përforcuar lidhjet ekonomike, kulturore dhe diplomatike mes dy vendeve.

Bahamet - vendi ishullor i Oqeanit Atlantik – u bënë vendi 121-të i botës që e njeh Kosovën.

Ky vend në Karaibe deri tani ka qenë në mesin e 106 vendeve të botës ku kosovarët detyrohen të pajisen me vizë para se të udhëtojnë për ta vizituar.

Tani, Bahamet janë vendi i 53-të në botë ku kosovarë mund të udhëtojnë lirshëm./Telegrafi.