Please enter at least 3 characters.

Babai i Callum Turner mungoi në dasmën e djalit të tij me Dua Lipën, thuhet se mori pjesë në një tjetër ceremoni martesore në Londër

Edhe pse martesa e Callum Turner dhe Dua Lipës u konsiderua si një nga ngjarjet më të përfolura të showbizit këtë vit, babai i aktorit britanik, Laurence Coles, raportohet se nuk ishte i pranishëm në ceremoni.

Sipas The Sun, në të njëjtën ditë kur Callum dhe Dua kurorëzuan dashurinë e tyre në një ceremoni luksoze në Sicili, Laurence ndodhej rreth 2,000 milje larg, në veri të Londrës, ku mori pjesë në dasmën e Jamie Rae Keeble, vajzës së bateristit të grupit Spandau Ballet, John Keeble.

Një burim pranë familjes tha për mediumin britanik se marrëdhënia mes Callum dhe babait të tij ka qenë e tensionuar për shumë vite, shkruan DailyMail.

“Laurence dhe Callum kanë qenë të distancuar ndër vite, por megjithatë ishte e çuditshme që ai ndodhej në një dasmë tjetër pikërisht në ditën kur djali i tij po martohej. Ai u përpoq të qëndronte larg vëmendjes, por shumë të pranishëm e komentuan këtë fakt”, tha burimi.

Megjithatë, në dasmën madhështore të zhvilluar në Villa Valguarnera, një rezidencë historike e shekullit XVIII në Sicili, morën pjesë gjysmëvëllai dhe gjysmëmotra e Callum, Louis dhe Clemmie.

Ceremonia mblodhi rreth 200 të ftuar, mes tyre emra të njohur të industrisë së muzikës dhe filmit, si Elton John dhe Charli XCX.

Lajmi për mungesën e babait vjen pavarësisht raportimeve se marrëdhënia mes tij dhe Callum ishte përmirësuar vitet e fundit, pas një largësie që zgjati afro tri dekada.

Vetë aktori i njohur nga seria "Fantastic Beasts" kishte treguar më herët se marrëdhënia me të atin ishte "e dobët", pasi gjatë pjesës më të madhe të fëmijërisë ata jetuan në kontinente të ndryshme.

Callum lindi në shkurt të vitit 1990. Prindërit e tij, Laurence Coles dhe Rosemary Turner, nuk ishin të martuar dhe jetonin në adresa të ndryshme. Ai mori mbiemrin e nënës dhe u rrit nga ajo në Chelsea të Londrës Perëndimore.

Rosemary e rriti e vetme djalin, ndërsa punonte si promotore në hyrjet e disa prej klubeve më të njohura të natës në Londër, përfshirë edhe legjendarin Ministry of Sound.

Ndërkohë, babai i tij ishte zhvendosur në Australi për të nisur një jetë të re. Atje ai u rikualifikua si psikoterapist, pavarësisht se më parë kishte punuar në sektorin e ndërtimit si suvatues, dhe krijoi një familje të re me sipërmarrësen Petrina Angus.

Në intervista të mëhershme, Callum ka folur me sinqeritet për fëmijërinë e tij, duke thënë se, megjithëse nuk pati pranë figurën tradicionale të një babai, ai u rrit i rrethuar nga shumë dashuri.

"Ishte një fëmijëri e vështirë në disa aspekte, por në shumë të tjera ishte e bukur. Në jetën time kishte shumë dashuri dhe një komunitet që më mbështeste", është shprehur aktori.

Sipas raportimeve, megjithëse marrëdhënia e tyre ka qenë e ndërlikuar për vite me radhë, babë e bir ishin afruar sërish pas rikthimit të Laurence në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, mungesa e tij në ditën e martesës së Callum me Dua Lipën ka ngjallur pikëpyetje dhe komente të shumta në mediat britanike. /Telegrafi/