Please enter at least 3 characters.

Audi Nuvolari, supervetura me 1000 kuaj/fuqi u zhvillua në vetëm 405 ditë

Audi ka zhvilluar supervetuën e re Nuvolari në një kohë rekord. Nga skica e parë deri te prototipi plotësisht funksional, i gatshëm për testime në rrugë publike, kanë kaluar vetëm 405 ditë.

Nuvolari është një superveturë plug-in hibride që kombinon një motor V8 4.0 litra me dy turbo dhe tre motorë elektrikë. Njëri prej motorëve elektrikë është i integruar në transmision, ndërsa dy të tjerët fuqizojnë boshtin e përparmë.

Sistemi hibrid zhvillon rreth 1000 kuaj/fuqi dhe 729 Nm çift-rrotullim, duke e bërë Nuvolarin automjetin rrugor më të fuqishëm në historinë e Audisë. Bateria 7.3 kWh është relativisht e vogël dhe është projektuar për të ofruar shpërthime të shpejta të fuqisë elektrike, pa shtuar peshë të tepërt.

Testet e para kanë treguar reagim të menjëhershëm të motorëve elektrikë, ndërsa motori V8 ofron fuqi të madhe sapo turbo-t arrijnë presionin e nevojshëm. Kombinimi synon të ofrojë performancë të lartë dhe një përvojë drejtimi të ngjashme me atë të një makine garash.

Audi ka zhvilluar paralelisht dizajnin dhe inxhinierinë, duke shmangur procesin tradicional ku një fazë përfundon para se të nisë tjetra. Prototipet u testuan shpejt në kushte reale për të verifikuar sistemin hibrid dhe ftohjen.

Në zhvillimin e Nuvolarit janë përdorur edhe njohuri të lidhura me Formula 1, veçanërisht për menaxhimin e temperaturës dhe shpërndarjen e energjisë. Për Audi-n, projekti është një demonstrim i rëndësishëm i asaj se sa shpejt mund të zhvillohet një automjet me teknologji të avancuar. /Telegrafi/