Arrihet marrëveshja, Igball Jashari lojtari më i ri i Dritës
Drita ka mbyllur një përforcim të rëndësishëm për sezonin e ardhshëm, pasi sulmuesi i talentuar Igball Jashari është shumë pranë zyrtarizimit te kampioni i Kosovës.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se marrëveshja mes palëve është arritur sot, ndërsa prezantimi i futbollistit pritet të ndodhë në ditët në vijim.
Sipas të njëjtave burime, Drita kishte qenë prej javësh në bisedime për Jasharin dhe pas disa ofertave të njëpasnjëshme, propozimi i fundit ka qenë vendimtar për ta bindur lojtarin që ta vazhdojë karrierën në Gjilan.
Jashari vjen pas një sezoni të mirë me Drenicën, ku në këtë edicion ka regjistruar 5 gola dhe 4 asistime, duke qenë një nga lojtarët më produktivë të skuadrës.
Më herët për Jasharin interesim kishte pasur edhe nga kampionati shqiptar, ku Elbasani, skuadër që po lufton për titull kampioni, e kishte futur në radar për përforcimet e verës.
Zyrtarizimi pritet të bëhet së shpejti, ndërsa te Drita shpresojnë që afrimi i tij t’i japë edhe më shumë opsione repartit ofensiv dhe të rrisë konkurrencën brenda skuadrës për sezonin e ardhshëm./Telegrafi/


