Arrestohet një person për fajde në Gjilan, i gjendet edhe armë dhe para
Policia e Kosovës, përkatësisht hetuesit nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan, kanë zhvilluar një hetim disa mujorë duke ndërmarr veprime hetimore për mbledhjen e provave dhe dëshmive të nevojshme përfshirë edhe përdorimin e masave të fshehta teknike të hetimit.
Policia njofton se si rezultat i këtyre veprimeve është arritur të sigurohen dëshmi dhe prova materiale me dyshime për përfshirje në veprat penale “Fajdeja” dhe ‘’Armëmbajtje pa leje’’ të të dyshuarit B.S. (mashkull kosovar i vitit të lindjes 1959), me banim në komunën e Vitisë.
Me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan, sot më datë 24.04.2026 është realizuar kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar:
• Para të gatshme në vlerë prej pesë mijë (5000) euro,
• Një pistoletë me gas,
• Një pushkë gjuetie (me leje valide)
• Një pistoletë me një karikator dhe katër copë fishekë cal.9X19mm (me leje valide)
• 29 copë fishekë të pushkës së gjuetisë e kalibrit 12 mm,
• 61 copë fishekë të pistoletës e kalibrit 9X19 mm.
Personi i dyshuar është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës dhe me aktvendim të prokurorit të lëndës është ndaluar në qendrën e ndalimit në afat prej 48 orësh.
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar. /Telegrafi/


