Arrestohet një person në Prizren, dyshohet se sulmoi me sprej katër punëtorë të “Eko Regjionit”
Një person është arrestuar në Prizren nën dyshimin se ka sulmuar me sprej katër persona, të cilët kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 26 korrik 2026, rreth orës 08:00.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se ka sulmuar me sprej katër persona. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, spreji është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lidhur me këtë rast, kryeshefi ekzekutiv i kompanisë “Eko Regjioni”, Burim Shala, kishte deklaruar se të sulmuarit janë punëtorë të kësaj kompanie, të cilët i kishin tërhequr vërejtjen një qytetari për hedhjen e mbeturinave nga vetura.
Sipas Shalës, pasi mori vërejtjen, qytetari fillimisht i ofendoi punëtorët dhe më pas dyshohet se përdori sprej ndaj tyre.
Ai bëri të ditur se punëtorët kanë marrë ndihmë mjekësore pas incidentit dhe se tashmë janë në gjendje të mirë shëndetësore, duke iu rikthyer punës së tyre. /Telegrafi/


