Arrestohet një person në Obiliq, dyshohet se kanoste ish-bashkëshorten me video dhe fotografi me armë
Një person është arrestuar në Obiliq nën dyshimin për kanosje në kuadër të dhunës në familje, pasi dyshohet se për një kohë të gjatë kishte kërcënuar ish-bashkëshorten e tij përmes videove dhe fotografive me armë zjarri.
Sipas Policisë, ankuesja ka raportuar se ish-bashkëshorti i saj vazhdimisht i dërgonte video nga poligoni i qitjes, ku shihej duke përdorur armë, si dhe fotografi me armë zjarri.
Gjatë hetimeve është intervistuar edhe një dëshmitar, ndërsa dyshohet se i njëjti person vazhdimisht ka shqetësuar dhe kërcënuar edhe nënën e tij, e cila jeton jashtë vendit.
Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit fillimisht i është bërë kontroll mjekësor dhe, me rekomandim të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, është dërguar për konsultë psikiatrike në Klinikën e Neuropsikiatrisë.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe ka pranuar se ia kishte dërguar videot e përmendura ankueses. Sipas policisë, ai posedonte edhe dokumentacion dhe raporte të mëhershme psikiatrike.
Me urdhër të prokurorit, është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosje” në kuadër të dhunës në familje, ndërsa i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë. /Telegrafi/


