Arrestohen tre persona të dyshuar për disa raste të vjedhjeve të rënda në rajonin e Gjilanit dhe rajonet e tjera
Hetuesit Policorë nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjilan, pas një pune të mirë organizuar dhe një hetimi të gjatë e intensiv të zhvilluar në koordinim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me Prokurorinë Themelore në Gjilan, kanë ndërmarrë një sërë veprimesh operative dhe hetimore të cilat kanë rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar meshkuj.
Sipas njoftimit të Policisë, nga personat e arrestuar, dy janë shtetas të Republikës së Kosovës ndërsa një është shtetas i Republikës së Shqipërisë.
Tutje në raport thuhet se të njëjtit dyshohet se në bashkëveprim dhe si pjesë e një grupi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për një periudhë të gjatë kohore, kanë kryer disa vepra penale të vjedhjes së rëndë në rajonin e Gjilanit dhe gjithashtu dyshohet edhe në rajone të tjera të Republikës së Kosovës.
"Po ashtu një person tjetër i njohur për Policinë dhe i dyshuar për përfshirje si pjesë e grupit në këto veprimtari kriminale është identifikuar dhe është vënë në kërkim policor me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të tij. Në kuadër të këtij hetimi janë realizuar edhe bastisje në disa lokacione në qytetin e Gjilanit, Prishtinës dhe Fushë Kosovës. Ndërsa gjatë hetimeve janë sekuestruar prova dhe pajisje të ndryshme që dyshohet se lidhen me veprimtarinë kriminale të personave të dyshuar. Në mesin e sendeve të sekuestruara pajisje të ndryshme që dyshohet se janë përdorur për komunikim, maskim dhe mjete për hapje me forcë të dyerve, kasafortave dhe objekteve të tjera, me qëllim të kryerjes së vjedhjeve", thuhet në raport.
Tutje bëhet e ditur se të dyshuarit janë arrestuar dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ndaj tyre janë ndërmarrë procedurat e mëtejshme ligjore.
"Hetimet janë duke vazhduar në mënyrë të koordinuar për dokumentimin e plotë të rasteve, identifikimin e veprave të tjera të mundshme dhe sigurimin e provave relevante që ndërlidhen me aktivitetin e dyshuar kriminal të grupit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit, parandalimin dhe zbardhjen e veprave penale si dhe në sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës", thuhet në njoftim. /Telegrafi/


