Arrestimi i Ergys Agasit, reagon zyrtarisht SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar arrestimin e shtetasit Ergys Agasi, i cili ishte shpallur në kërkim, pas një operacioni të zhvilluar në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Sipas SPAK, Agasi u arrestua këtë të mërkurë në hyrje të qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ai shoqërohej nga U. Sh., ish-punonjës policie, i cili u arrestua në flagrancë nën dyshimin për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
SPAK bën me dije se Agasi është nën hetim në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, në të cilin emri i tij është regjistruar më 5 dhjetor 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, ai po hetohet për një sërë veprash penale, mes tyre “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Grupin e strukturuar kriminal”, veprat penale të kryera nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Hetimet ndaj tij përfshijnë gjithashtu dyshime për “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Për Agasin, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, me vendimin nr. 125, datë 15 dhjetor 2025. Vendimi ishte përcjellë për ekzekutim pranë strukturave të Policisë së Shtetit më 17 dhjetor 2025.
Në përfundim të njoftimit, SPAK falënderon Policinë e Shtetit për bashkëpunimin dhe për kryerjen me sukses të operacionit që çoi në arrestimin e personit të shpallur në kërkim. /euronews/


