Arjanit Fazlija, talenti i grupmoshave të Kosovës që la gjurmë që në debutimin e parë me Prishtinën
Arjanit Fazlija nuk mund ta kishte imagjinuar një debutim më të mirë me fanellën e Prishtinës.
Talenti i ri kosovar 21 vjeçar u inkuadrua në lojë në minutën e 75-të ndaj Llapit, ndërsa vetëm pak minuta më vonë tregoi menjëherë pse shihet si një prej lojtarëve me perspektivë të madhe.
Me një goditje të fuqishme nga rreth 20 metra, Fazlija realizoi gol të bukur për rezultatin 4-0, duke vulosur fitoren bindëse të Prishtinës dhe duke lënë shenjën e tij që në paraqitjen e parë në futbollin kosovar.
I lindur dhe i rritur në Gjermani, Fazlija ka zgjedhur këtë verë t’i bashkohet klubit më të madh në Kosovë, duke e parë Prishtinën si një mundësi të mirë për zhvillimin e mëtejmë të karrierës së tij.
Ai ka kaluar nëpër akademitë e njohura gjermane, duke luajtur në kategoritë e reja të Bayer Leverkusenit dhe Greuther Fürthit, përvoja që kanë ndikuar në formimin e tij si futbollist.
Por lidhja e tij me Kosovën ka qenë gjithmonë e fortë. Fazlija ka qenë pjesë e përfaqësueseve të Kosovës në pothuajse të gjitha grupmoshat, duke kaluar nga Kosova U15, te U17 dhe U19, ndërsa më vonë është bërë pjesë edhe e Kosovës U21.
Një mesfushor modern, Fazlija dallohet për qetësinë dhe cilësinë me topin, por edhe për aftësinë që të kontribuojë në të dyja fazat e lojës. Ai mund të ndihmojë skuadrën si në aspektin mbrojtës, ashtu edhe në atë sulmues, ndërsa goli në debutim tregoi edhe cilësinë që posedon në goditjet nga distanca.
Gjatë fazës përgatitore, 18-vjeçari iu bashkua pak më vonë skuadrës dhe pati edhe një dëmtim të lehtë në kyçin e këmbës, por tashmë duket se e ka lënë atë pas. Paraqitja dhe goli ndaj Llapit janë sinjale të mira se Fazlija po rikthehet në formën e tij më të mirë.
Edhe trajneri Orges Shehi duket se ka besim te mesfushori i ri, ndërsa debutimi i tij me gol mund të jetë vetëm fillimi i një rruge të gjatë me fanellën bardhekaltër.
Në anën tjetër, Prishtina e ka nisur në mënyrë perfekte edicionin e ri. Kryeqytetasit kanë marrë dy fitore në dy ndeshje, duke realizuar plot tetë gola.
Assane Diatta dhe Albin Krasniqi kanë shënuar nga tri herë, ndërsa tani listës së golashënuesve iu bashkua edhe Fazlija.
Prishtina po ndërton një skuadër me shumë cilësi, ndërsa Arjanit Fazlija mund të jetë një nga emrat që do të tërheqë vëmendje të madhe gjatë këtij sezoni – një supertalent që debutimin e parë në futbollin kosovar e shënoi me gol dhe premtoi shumë për të ardhmen. /Telegrafi/


