Anulohen bisedimet SHBA-Iran në Zvicër
Bisedimet e planifikuara midis Iranit dhe SHBA-së në vendpushimin malor Burgenstock në Zvicër janë shtyrë, ka njoftuar ministria e jashtme zvicerane.
Por, Zvicra tha se “mbetet e gatshme të lehtësojë këto bisedime”.
Nuk u zbulua asnjë detaj mbi datën e ardhshme të bisedimeve, por ministria tha se "puna përgatitore përkatëse në Burgenstock po vazhdon".
Së fundmi u raportua se edhe zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka anuluar udhëtimin drejt shtetit zviceran.
Zyrtarët amerikanë dhe iranianë duhej të takoheshin së bashku me ndërmjetësuesit nga Pakistani dhe Katari në kantonin Nidwalden për të filluar negociatat mbi zbatimin e marrëveshjes.
Por një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se udhëtimi i Vance ishte shtyrë për shkak të sfidave logjistike.
Ndryshe, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, nënshkruan të mërkurën një marrëveshje fillestare që synon t'i japë fund luftës në Iran.
Marrëveshja e përkohshme u jep të dyja palëve 60 ditë për të arritur një marrëveshje përfundimtare. /Telegrafi/


