Anglia triumfon në dramën e 10 golave ndaj Francës, e fiton medaljen e bronztë të Kupës së Botës
Kombëtarja e Anglisë ka shënuar fitore në përballjen me shumë gola ndaj Francës, për t’u stolisur me të bronztën për Kupën e Botës.
“Tre Luanët” regjistruan një fitore prej 4-6, sfidë ku “Gjelat” deri vonë kishin shpresë për të bërë ndonjë përmbysje.
Declan Rice kaloi Anglinë në epërsi pas vetëm tre minutave lojë me një gol nga distanca.
Ndërsa ishte Konsa që shënoi me kokë pas harkimit të Rice për të dyfishuar epërsinë (18’).
Bukayo Saka pastaj ishte njeriu i momentit me dy gola të bukur për ta mbyllur pjesën e parë me rezultat 0-4 (37’, 45+1’).
Pas kësaj, Franca u këndell. Fillimisht Kylian Mbappe shënoi për ta ngushtuar epërsinë (48’), e pastaj asistoi për Barcolan për 2-5 (54’).
Mbappe realizoi edhe golin e tretë për ta marrë epitetin e golashënuesit më të mirë në histori të Botërorit (66’).
Franca kishte rastin për ta barazuar rezultatin por Michael Olise dëshpëroi duke humbur raste nga afërsia. Fytyra tragjike rezultoi të jetë Gusto me një ndërhyrje brenda zonës, ku gjyqtari akordoi penallti.
Nga pika e bardhë i pagabueshëm ishte Saka, që edhe e kompletoi het-trikun si dhe vulosi fitoren (87’).
E tëra që bëri Franca ishte goli i fundit në ndeshje falë Ousmane Dembeles (90+6').
Në minutën e fundit, kur Franca po sulmonte, Anglia zhvilloi edhe një kundërsulm me Jude Bellingham që realizoi eurogol për ta mbyllur përfundimisht ndeshjen (90+8').
Kësisoj, Anglia e fiton medaljen e bronztë kurse finalja e madhe do të zhvillohet të dielën nga ora 21:00 mes Spanjës dhe Argjentinës./Telegrafi/


