Andrew Tate dhe vëllai i tij Tristan arrestohen në Miami për akuza të reja për pornografi ekstreme me fëmijë dhe përdhunim
Andrew Tate dhe vëllai i tij, Tristan Tate, janë arrestuar në Miami nga autoritetet amerikane në bazë të një kërkese për ekstradim nga Mbretëria e Bashkuar.
Sipas Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës (CPS), dy vëllezërit përballen me gjithsej 59 akuza të reja që lidhen me ngjarje të dyshuara mes viteve 2010 dhe 2017, përfshirë përdhunim, trafikim për shfrytëzim seksual, si edhe vepra që lidhen me materiale të abuzimit seksual ndaj të miturve dhe pornografi ekstreme.
Sipas autoriteteve britanike, Andrew Tate, 39 vjeç, akuzohet për shtatë raste përdhunimi, tre akuza për organizim ose lehtësim të trafikimit për shfrytëzim seksual, tre akuza për sulm që shkakton lëndime trupore, si dhe 19 akuza që lidhen me materiale të paligjshme të abuzimit seksual ndaj fëmijëve dhe pornografi ekstreme.
Ndërkohë, Tristan Tate, 37 vjeç, përballet me akuza për sulm seksual, dy raste përdhunimi dhe tre akuza për trafikim për shfrytëzim seksual.
Vëllezërit Tate i kanë mohuar të gjitha akuzat. Avokati i tyre, Joseph McBride, deklaroi se klientët e tij janë të pafajshëm dhe e cilësoi arrestimin si të motivuar politikisht.
Ai shprehu bindjen se një gjykatë amerikane do të refuzojë kërkesën për ekstradim pasi të shqyrtojë provat.
Çështja pritet të shqyrtohet në një gjykatë federale në Miami, ndërsa Departamenti Amerikan i Drejtësisë pritet të publikojë detajet e aktakuzës.
Andrew dhe Tristan Tate vijojnë gjithashtu të përballen me procese të ndara gjyqësore edhe në Rumani, ku ndaj tyre rëndojnë akuza të tjera, të cilat ata gjithashtu i kanë mohuar vazhdimisht. /Telegrafi/


