Please enter at least 3 characters.

Ancelotti nis një revolucion te Brazil: Fton tetë debutues dhe lë jashtë 16 lojtarë që luajtën në Kupën e Botës 2026

Carlo Ancelotti ka nisur një epokë të re në stolin e ekipit brazilian të futbollit, duke bërë ndryshime të mëdha për dy ndeshjet e ardhshme të Selecaos.

Trajneri italian njoftoi listën prej 26 lojtarësh për ndeshjet e ardhshme kundër Australisë dhe Indisë, dhe në të janë tetë debutues: Pedro Morisco, Otavio, Arthur Dias, Jair Cunha, Matheuzinho, Mauro Junior, Breno Bidon dhe Gabriel Bontempo.

Estevao, Andrey Santos dhe Joao Pedro, të cilët munguan në Kupën e Botës, po kthehen gjithashtu në ekip. Ancelotti la jashtë 16 lojtarë nga turneu në SHBA, Kanada dhe Meksikë, duke njoftuar kështu një rindërtim të plotë të ekipit përpara ciklit të Kupës së Botës 2030.

Kështu, Brazili hap një kapitull të ri pa Neymarin dhe një numër lojtarësh ndërkombëtarë me përvojë të gjatë që i thanë lamtumirë ekipit kombëtar pas dështimit në Kupën e Botës këtë verë. Danilo, Casemiro, Fabinho, Alex Sandro, Alisson dhe Ederson u larguan nga ekipi kombëtar.

Edhe pse brazilianët nuk mbërritën në Amerikën e Veriut si favoritët kryesorë, ata prisnin një rezultat më të mirë, por Norvegjia, me dy gola nga Erling Haaland, e përfundoi udhëtimin e tyre në fazën e 1/8-tës. Humbja shkaktoi zhgënjim të madh sportiv në vend dhe u zhvilluan muaj të tërë analizash mbi shkaqet e dështimit dhe kërkimin e atyre që janë përgjegjës për rimëkëmbjen e ekipit.

Ndërtimi i një ekipi për të ardhmen

Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) ka vendosur të fillojë nga e para, dhe Ancelottit i është dhënë liri e plotë për ta bërë këtë. Trajneri italian dëshiron të ndërtojë shtyllën kurrizore të ekipit për katër vitet e ardhshme dhe Kupën e Botës, e cila do të mbahet në Spanjë, Portugali dhe Marok. Qëllimi është të kombinohet përvoja e veteranëve të mbetur me talentet e reja.

Federata, pasi monitoroi lojtarët në Evropë dhe Amerikë, ka hartuar një listë më të gjerë me disa surpriza. Fokusi është te lojtarët që mund të kontribuojnë në ekip në planin afatgjatë.

Lista e Brazilit

Portierë: Hugo Souza (Corinthians), Morisco (Coritiba), Otavio (Cruzeiro);

Mbrojtja: Arthur Dias (Athletico-PR), Douglas Santos (Zenit), Gabriel Magalhaes (Arsenal), Jair (Nottingham Forest), Marquinhos (PSG), Matheuzinho (Corinthians), Mauro Junior (PSV), Vitor Reis (Manchester City), Wesley (Roma);

Mesfusha: Andrey Santos (Manchester United), Breno Bidon (Corinthians), Bruno Guimaraes (Arsenal), Danilo Santos (Botafogo), Douglas Luiz (Juventus), Gabriel Bontempo (Santos).

Sulmues: Endrick (Real Madrid), Estevao (Chelsea), Joao Pedro (Chelsea), Pedro (Flamengo), Raphinha (Barcelona), Rayan (Bournemouth), Samuel Lino (Flamengo), Vinicius Junior (Real Madrid);

/Telegrafi/