Please enter at least 3 characters.

“Amatera”, Bajrami kritikon MASHTI-n: Pesë ditë para 1 shtatorit - prindërit ende pa mjetet për librat

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vonesat në sigurimin e mjeteve për blerjen e librave shkollorë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bajrami ka thënë se prindërit ende nuk i kanë marrë mjetet për blerjen e teksteve shkollore, ndërsa ka theksuar se kanë mbetur vetëm pesë ditë deri në fillimin e vitit të ri shkollor.

“Vetëm pesë ditë deri më 1 shtator! Prindërit ende nuk i kanë marrë mjetet nga MASHT-i për blerjen e librave”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka kritikuar edhe deklaratën e ministrit, i cili, sipas saj, u ka bërë thirrje prindërve që të mos i blejnë librat, me arsyetimin se po zhvillohen negociata për çmimet me shtëpitë botuese.

“Për më tepër, ministri u ka thënë prindërve: mos i bleni librat, sepse jemi duke negociuar çmimet me shtëpitë botuese”, ka thënë Bajrami.

Sipas saj, koha e mbetur deri në fillimin e vitit shkollor e vë në pikëpyetje pozitën e prindërve në këto negociata.

“Tash, kur kanë mbetur vetëm pesë ditë deri më 1 shtator, qëllojani se pozita e kujt është forcuar në këto negociata”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka ngritur shqetësim edhe për komunat që, sipas saj, nuk kanë librari, duke theksuar vështirësitë me të cilat përballen prindërit për sigurimin e librave çdo vit.

Në fund, Bajrami e ka cilësuar situatën si dështim të menaxhimit të procesit, duke thënë se furnizimi i nxënësve me libra ka qenë një prej gjërave që ka funksionuar mirë në arsim.

“Amatera! Një prej gjërave që ka funksionuar mirë në arsim ka qenë pikërisht furnizimi i nxënësve me libra edhe këtë e përmbysët”, ka shkruar Bajrami. /Telegrafi/