Alarm në Kinë, tajfuni i madh drejt vendit - evakuohen mbi 600 mijë njerëz
Kina evakuoi më shumë se 600,000 njerëz nga shtëpitë e tyre ndërsa përgatitet për mbërritjen e tajfunit Bavi, i cili pritet të godasë qytetin Wenzhou në lindje të vendit.
Tajfuni kishte kaluar më parë nëpër Tajvan dhe Ishujt Sakishima në Japoninë jugore, duke shkaktuar shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta.
Edhe pse Bavi vazhdon të ngadalësohet dhe të dobësohet në rrugën e tij drejt veriperëndimit mbi dete më të ftohta, ai mbetet ende i rrezikshëm, për shkak të vëllimit të madh të lagështisë që mban brenda brezit të tij të reshjeve, i cili është afërsisht sa madhësia e Francës.
Parashikohet që Bavi të arrijë në zonat përreth Wenzhout, i cili ka rreth 10 milionë banorë, në orët e para të së dielës.
"Jam pak i shqetësuar, por mendoj se do të shkojë mirë. Kemi përjetuar shumë tajfune më parë. Do ta kalojmë edhe këtë", tha banori i Wenzhout, Huang Xinghuan, 50 vjeç, ndërsa blinte ushqime në një treg tradicional përpara se të mbyllej për shkak të tajfunit.
Huang tha se familja e tij kishte ujë të mjaftueshëm për dy deri në tre ditë.
"Mendoj se i kemi siguruar furnizimet. Nuk ka nevojë për panik ose për të grumbulluar shumë ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme", shtoi ai.
Japonia dhe Tajvani deri më tani nuk kanë raportuar vdekje si pasojë e kalimit të tajfunit, por në Filipine, 17 persona vdiqën si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm të sjellë nga musoni i intensifikuar jugperëndimor, i përkeqësuar nga ndikimi i Bavit. /Telegrafi/


